2019-12-30 19:55:18 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Në Pekin u hap të hënën një zonë e re 40 km katrorë për testimin e automjeteve vetëdrejtuese me udhëtarë, ndërsa kryeqyteti i Kinës po nxit zbatimin e mëtejshëm të teknologjisë, njofton Komisioni i Transporteve i Bashkisë së Pekinit.
111 rrugë me një gjatësi rreth 322.46 km janë hapur në Zonën e Zhvillimit Ekonomik-Teknologjik të Pekinit për provë, duke mbuluar pothuajse të gjithë zonën, përveç pjesëve ku ndodhen shkollat, spitalet dhe ndërtesat e zyrave.
Bashkia e qytetit gjithashtu dha leje për transportin e udhëtarëve në testimin e 40 automjeteve me vetëdrejtim nga gjigandi kinez i internetit "Baidu".
Rong Jun, nënkryetari i Komisionit të Transportit të Bashkisë së Pekinit, tha se vetëdrejtimi është zhvilluar gradualisht nga provat në rrugë në ato të transportit të udhëtarëve, si në Kinë, ashtu edhe jashtë saj.
Bashkia ka publikuar rregullore të hollësishme për testimin e automjeteve autonome në fillim të këtij muaji. Rregulloret u japin dritën e gjelbër testeve rrugore për automjetet me vetëdrejtim me udhëtarë.
Për arsye sigurie, automjetet e provës duhet të kenë regjistrues të të dhënave të vetëdrejtimit dhe një sistem urgjence që i lejon një njeriu të ndërpresë manualisht sistemin e drejtimit të automatizuar, përcaktohet në rregullore.
Deri më tani Pekini ka hapur 151 rrugë me një gjatësi prej rreth 503.68 km, duke zënë vendin e parë në Kinë. Deri në dhjetor, bashkia e qytetit ka dhënë leje të provave në rrugë për 77 automjete nga 13 kompani, të cilat udhëtuan mbi 1 milion km.
Sipas një plani qeveritar, hapësirat e provave për automjetet e lidhura inteligjente në kryeqytet pritet të arrijnë 500 km katrorë deri në vitin 2022, dhe gjithsej 2 000 km rrugë parashikohet të jenë të hapura për prova.
Gjashtë qytete në Kinë kanë lejuar testimin e transportit të udhëtarëve në automjete autonome, duke përfshirë Pekinin, Shangai dhe Guangzhou-n, sipas "The Beijing News".
Në nëntor, 30 automjete vetëdrejtuese filluan të transportojnë udhëtarë në zonën e zhvillimit ekonomik të Cangzhou-t, në provincën Hebei të Kinës veriore, në programin e parë të tillë pilot që mbulon një distrikt të tërë qyteti.