Kinë: Ulja e taksave dhe tarifave në 2019-n, mbi 2 trilionë juanë

2019-12-25 17:04:58 CRI Komenti juaj Printoni

Të mërkurën, Këshilli i Shtetit të Kinës i raportoi Mbledhjes së 15-të të Komitetit të Përhershëm të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore për punët mbi uljen e taksave dhe tarifave në vitin 2019. Raporti tregon se ulja e taksave dhe tarifave në mbarë vitin 2019 do të arrijë në 2 trilionë juanë, duke tejkaluar objektivin përkatës të përcaktuar në "Raportin e punës së qeverisë" të këtij viti dhe duke ulur kështu në mënyrë efektive barrën e kostos së ndërmarrjeve.

Kina shpalli sivjet politika të uljes së taksave dhe tarifave në një shkallë si asnjëherë më parë. Në raportin e punës së qeverisë qendrore kërkohet që barra e taksave të ndërmarrjeve dhe e sigurimeve shoqërore të ulet me gati 2 trilionë juanë gjatë gjithë vitit.

Në "Raportin e Këshillit të Shtetit për punën mbi uljen e taksave dhe të tarifave", të paraqitur të mërkurën Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore, tregohet se janë zbatuar në mënyrë efektive masat e ndryshme për uljen e taksave e të tarifave dhe efektet e tyre janë shfaqur gradualisht. Nga janari deri në tetor, ulja e taksave dhe tarifave në mbarë vendin i kaloi 196.8 miliardë juanët. Gjatë gjithë vitit, objektivi për uljen e afro 2 trilionë juanëve taksa dhe tarifa, i përcaktuar në raportin e punës së qeverisë, do të tejkalohet. Ministri i Financave i Kinës Liu Kun shtjellon:

"Ulja e taksave dhe tarifave në të gjithë vitin do t'i kalojë 2 trilionë juanët, duke zënë më shumë se 2 % të PBB-së. Kjo shifër është dukshëm më e lartë se ajo e vendeve të tjera të botës. Pas thellimit të reformës së tatimit mbi vlerën e shtuar, niveli i lartë i këtij tatimi ka rënë nga 16% në 13%, që është në nivelin e mesëm-të ulët ndër vendet e G20-s."

Ndërmarrjet private dhe ndërmarrjet e vogla e mikrondërmarrjet janë përfituesit kryesorë të këtij raundi të uljes së taksave dhe tarifave. Raporti tregon se deri në fund të tetorit, taksat për ndërmarrjet e vogla dhe mikrondërmarrjet ishin ulur me 188.6 miliardë juanë; ndërsa ulja e përgjithshme e taksave për ndërmarrjet private ishte 105.1 miliardë juanë, duke zënë 63. 8 % të të gjithë uljes të taksave. Falë politikës së veçantë të pakësimit të tatimit mbi të ardhurat personale, nga janari deri në tetor, ulja për frymë e tatimit mbi të ardhurat për tatimpaguesit ishte 1786 juanë, gjë që rriti drejtpërdrejt të ardhurat e banorëve dhe kapacitetin e konsumit.(Zhan Dian/Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore