2019-12-13 15:22:21 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Kina do të vendosë kufizime të rrepta për emetimet e dioksidit të karbonit si pjesë e përpjekjeve të saj në luftën kundër ngrohjes globale të shkaktuar nga ndryshimet klimatike.
Kina e bëri këtë zotim në Konferencën 12-ditore të OKB-së për Ndryshimin e Klimës (COP25) në Madrid të Spanjës.
Fokusi kryesor i Konferencës është të diskutojë nenin 6 të Marrëveshjes së Parisit, i cili nxit bashkëpunimin ndërkombëtar në skemat e tregtimit të emisioneve.
Li Gao, nga Ministria kineze e Ekologjisë dhe Mjedisit, tha se të gjitha palët duhet të bëjnë çmos për të arritur një konsensus mbi zbatimin e Marrëveshjes së Parisit.
"Do donim t'u rikujtonim të gjithëve se duhet t'i përqëndrojmë përpjekjet këtu në COP 25 dhe të përpiqemi të bëjmë çmos për të përfunduar negociatat për nenin 6. Kjo është çështja e pazgjidhur e Marrëveshjes së Parisit."
Li theksoi gjithashtu se Kina do të vazhdojë të vendosë rregulla të rrepta të emetimeve me një plan të qartë kombëtar.
"Në periudhën e planit të ardhshëm pesëvjeçar, do të vijojmë nxitjen e objektivit të pakësimit të shkarkimeve të dioksidit të karbonit. Në të njëjtën kohë, do të nisim veprime për arritjen e objektivave, do u kërkojmë provincave dhe sektorëve kryesorë të përcaktojnë objektivat e tyre kulmore."
Zhao Yingmin është kreu i delegacionit kinez në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimin e Klimës.
Ai u bëri thirrje të gjitha palëve të adresojnë boshllëqet e emetimeve para afatit të Konferencës së ardhshme në vitin 2020. (Albana)