Kina shpreson se ShBA-ja do të dëgjojë zërat e arsyeshëm

2019-12-10 20:01:30 CRI Komenti juaj Printoni

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Hua Chunying shprehu të martën në një konferencë shtypi shpresën se pala amerikane do të dëgjojë zërat e arsyeshëm të ekspertëve të qarqeve të ndryshme për të hequr dorë nga mendësia e Luftës së Ftohtë dhe për të bërë përpjekje bashkë me Kinën për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Ditët e fundit, një pjesë e studiuesve amerikanë kanë folur mbi zhvillimin e Kinës dhe kanë kritikuar politikat e administratës së Trump-it ndaj Kinës. Ish-zv.sekretari amerikan i Shtetit dhe ish-presidenti i Bankës Botërore Robert Zoellick tha se kundërvënia midis ShBA-së dhe Kinës do të shkaktojë rrezik të madh dhe do të sjellë një kosto të rëndë. Ndërkohë, drejtori i Qendrës së Zhvillimit të Vazhdueshëm të Universitetit të Kolumbias Jeffrey D. Sachs publikoi një artikull, ku thuhet se Kina kërkon zhvillimin e vet, gjë që është e arsyeshme, dhe se lufta tregtare ndaj Kinës s'mund të zgjidhë problemet e brendshme të ShBA-së. Lidhur me këto, Hua u shpreh se ditët e fundit, një pjesë e amerikanëve kanë shprehur koncepte si "shkëputja", "ndërtimi i mureve", "përplasja e qytetërimeve", "Lufta e Ftohtë e re", për të hedhur baltë ndaj Kinës, madje kundër partisë në pushtet në Kinë e sistemit të Kinës, gjë që do të sjellë konflikt mes dy vendeve. Këto veprime shkaktojnë pakënaqësi të madhe te populli kinez dhe te amerikanët me vizion e largpamës.

"Kemi vënë në dukje se marrëdhëniet kino-amerikane nuk janë një 'lojë ku fituesi i merr të gjitha'. Interesat e Kinës dhe të ShBA-së janë të ndërthurur dhe fusha e bashkëpunimit është e gjerë. Bashkëpunimi është më i mirë se mosmarrëveshjet dhe dialogu është më i mirë se kundërvënia. Të dyja palët duhet të realizojnë nxitjen reciproke dhe zhvillimin e përbashkët. Shpresojmë se njerëzit nga qarqet e ndryshme do të forcojnë shkëmbimet, do të shtojnë besimin e ndërsjellë dhe do të pakësojnë keqkuptimet. Shpresojmë se pala amerikane do të dëgjojë zërat racionalë të ekspertëve amerikanë nga qarqe të ndryshme, do të heqë dorë nga mendësia e Luftës së Ftohtë dhe do të përpiqet me palën kineze që të nxitë zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve kino-amerikane. Kjo është aspirata e popujve të të dy vendeve dhe dëshira e komunitetit ndërkombëtar," tha Hua.

(Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore