Reagimi i palës kineze ndaj projektligjit për ujgurët të Kongresit amerikan

2019-12-04 11:06:32 CRI Komenti juaj Printoni

Të martën, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi "Projektligjin për të drejtat e njeriut të ujgurëve 2019". Lidhur me këtë, drejtori i Zyrës Kombëtare kundër Terrorizmit të Kinës Liu Yuejin dha një intervistë për mediat, duke iu përgjigjur pyetjeve përkatëse.

Pyetje: Më 3 dhjetor, Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka miratuar "Projektligjin për të drejtat e njeriut të ujgurëve 2019". Si e komenton këtë sektori kombëtar i luftës kundër terrorizmit i Kinës?

Përgjigje: Ky projektligj nuk respekton faktet, krijon fabrikime dhe bën shpifje të paramenduara e kritika të pabazuara lidhur me politikat e administrimit të Rajonit Autonom të Xinjiang-ut, masat kundër terrorizmit të ndërmarra nga qeveria kineze dhe gjendjen e të drejtave të njeriut në Xinjiang. Ky projektligj ka zbuluar plotësisht standardet e dyfishta të palës amerikane në çështjen e terrorizmit dhe qëllimin e saj për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës. Ne shprehim zemërimin tonë të fortë dhe kundërshtimin e vendosur mbi këtë gjë.

Nga vitet '90 të shekullit të kaluar deri në fillim të këtij shekulli, në Kinë, veçanërisht në rajonin e Xinjiang-ut, kanë ndodhur shpesh sulme terroriste, që kanë kërcënuar seriozisht sigurinë e banorëve të kombësive të ndryshme kineze. Përballë kërcënimeve, qeveria kineze ka ndërmarrë masa të shpejta për të luftuar terrorizmin sipas ligjit, duke frenuar efektivisht prirjen e zgjerimit të aktiviteteve terroriste dhe duke garantuar të drejtat e jetës e të zhvillimit dhe të drejtat e tjera të njeriut në Xinjiang. Masat kundër terrorizmit janë mbështetur gjerësisht nga banorët e kombësive të ndryshme të Xinjiang-ut dhe janë vlerësuar pozitivisht nga bashkësia ndërkombëtare. Në tre vjetët e fundit nuk ka ndodhur asnjë rast i dhunës terroriste në Xinjiang. Shoqëria e Xinjiang-ut është harmonike dhe e qëndrueshme, ekonomia është zhvilluar në vazhdimësi dhe jeta e banorëve është përmirësuar në mënyrë të pandërprerë.

Qeveria kineze ngul këmbë si gjithmonë në zbatimin e konceptit të sundimit të ligjit, duke goditur terrorizmin dhe duke garantuar të drejtat e njeriut sipas ligjit. Qeveria kineze kundërshton lidhjen e terrorizmit e të ekstremizmit me ndonjë vend, kombësi ose fe dhe kundërshton zbatimin e standardeve të dyfishta në problemin e luftës kundër terrorizmit. Kina ka shpallur masa komplekse antiterroriste, që kanë goditur në mënyrë të rreptë aktivitetet terroriste dhe kanë eliminiuar kushtet për lindjen dhe përhapjen e terrorizmit. Kina sugjeron forcimin e bashkëpunimit konkret ndërkombëtar kundër terrorizmit. Në kohët e sotme, sfidat e sjella nga terrorizmi dhe ekstremizmi janë ende shumë të mëdha. Vetëm duke hequr dorë nga standardet e dyfishta, duke forcuar besimin e ndërsjellë, duke konsoliduar konsensusin strategjik dhe duke nxitur shkëmbimet, mund të frenohen dhe të goditen efektivisht terrorizmi e ekstremizmi dhe të ruhen paqja dhe qetësia në botë.

Pyetje: Si mendoni për kritikat kundër qeverisë kineze në projektligjin e miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve të ShBA-së, sipas të cilave Kina, duke shfrytëzuar problemin e terrorizmit, "shtyp" dhe "shkel të drejtat e njeriut të pakicave"?

Liu Yuejin: Për një kohë të gjatë, forcat e "Lëvizjes së Turkistanit Lindor" brenda e jashtë Kinës kanë krijuar mijëra incidente të dhunshme terroriste e separatiste, si pasojë e të cilave shumë banorë të thjeshtë dhe qindra policë kanë humbur jetën, gjë që dëmton seriozisht sigurinë e stabilitetin e Kinës dhe rrezikon jetën dhe pronën e banorëve të kombësive të ndryshme në Xinjiang. Për të mbrojtur interesat e banorëve të të gjitha kombësive dhe rendin shoqëror në Xinjiang, qeveria kineze ka ndërmarrë goditje të vendosura sipas ligjit kundër veprimeve të dhunshme terroriste. Pas përpjekjesh që kanë zgjatur mbi pesë vjet, prirja e sipërpërmendur është frenuar, duke u përkrahur gjerësisht nga 25 milionë banorët e Xinjiang-ut dhe duke dhënë kontribut të rëndësishëm për luftën antiterroriste globale.

Kina është një vend ku sundon ligji. Gjatë luftës kundër terrorizmit, ne gjithmonë bazohemi mbi faktet dhe i zbatojmë operacionet rreptësisht në përputhje me Kushtetutën, Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin kundër Terrorizmit. Gjithmonë kemi ndërthurur luftën ndaj krimeve të dhunshme me mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Përveç goditjes së fortë ndaj kriminelëve më të rrezikshëm dhe krerëve të organizatave terroriste, kemi edukuar edhe ata që kanë bërë shkelje të lehta të ligjit ose që janë prekur nga konceptet e terrorizmit, në mënyrë që ata të mos bien në guackën e ekstremizmit dhe të terrorizmit. Me një fjalë, nuk ekziston absolutisht i ashtuquajturi problem "i shkeljes së të drejtave të njeriut të pakicave kombëtare" i shpallur nga pala amerikane.

Pyetje: Qysh nga viti i kaluar, ShBA-ja në mënyrë të vazhdueshme ka bërë akuza lidhur me qendrat e arsimit dhe trajnimit profesional në Xinjiang. Për këtë, çfarë komentesh keni ju?

Përgjigje: Qendrat e arsimit dhe trajnimit profesional në Xinjiang janë institucione me natyrë arsimore që ndihmojnë në punësimin dhe çrrënjosjen e ekstremizmit. Në muajin gusht, Zyra e Informacionit e Këshillit të Shtetit të Kinës publikoi librin e bardhë mbi qendrat e arsimit dhe trajnimit profesional në Xinjiang, duke paraqitur në mënyrë të gjithanshme gjendjen e këtyre qendrave dhe duke reaguar ndaj akuzave të prapamenduara.

Dua të theksoj që lufta antiterroriste dhe çrrënjosja e ekstremizmit përbëjnë një problem dhe një sfidë botërore. Kina, në bazë të përvojës antiterroriste të vendeve të tjera, ka bërë goditjen dhe parandalimin, duke marrë masa për çrrënjosjen e ekstremizmit. Hapja e qendrave të arsimit dhe trajnimit profesional në Xinjiang sipas ligjit është një provë aktive nga Kina për luftën antiterroriste dhe çrrënjosjen e ekstremizmit, si edhe një reagim dhe zbatim i rezolutave dhe nismave të OKB-së, si Strategjia Globale kundër Terrorizmit dhe Plani i Veprimit për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm. Qysh nga fundi i vitit 2018, mbi 70 grupe me mbi 1000 veta nga 91 vende e rajone, si zyrtarë të lartë të OKB-së, ambasadorë të vendeve të huaja në Kinë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e të delegacioneve të disa vendeve në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, të mediave të huaja dhe të grupeve fetare kanë bërë vizitë nga afër në Xinjiang. Shumë prej tyre e kuptojnë që krijimi i qendrave të arsimit dhe trajnimit profesional në Xinjiang ka qenë diçka urgjente, e domosdoshme, e ligjshme dhe e arsyeshme. Ata u shprehën që veprimet e dhunshme terroriste në Xinjiang kanë qenë brutale e jo njerëzore dhe trajnimet profesionale i kanë shpëtuar personat që kanë qenë nën ndikimin e terrorizmit dhe ekstremizmit fetar. Qendrat e arsimit dhe trajnimit profesional në Xinjiang kanë dhënë kontribut të rëndësishëm dhe kanë përmbledhur përvojat e çmuara botërore të luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit. Kjo është një eksperiencë që mund të përhapet edhe në vende të tjera. ShBA-ja ka shtrembëruar dhe ka hedhur baltë ndaj qendrave të arsimit dhe trajnimit profesional, se ajo ka qëllim që të ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës dhe të kufizojë zhvillimin e Kinës duke shfrytëzuar fenë dhe të drejtat e njeriut.

Pyetje: Terrorizmi është armiku i përbashkët i shoqërisë njerëzore. A mund të na tregoni për bashkëpunimin ndërkombëtar të Kinës në luftën kundër terrorizmit.

Përgjigje: Përveç përpjekjeve të veta për të luftuar terrorizmin, Kina ka këmbëngulur gjithmonë që t'u përmbahet objektivave dhe parimeve të Kartës së OKB-së dhe normave themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe ka mbështetur një seri rezolutash kundër terrorizmit të miratuara nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, duke marrë pjesë në 12 konventa ndërkombëtare kundër terrorizmit, në mekanizmat e bashkëpunimit shumëpalësh, si Interpoli, Organizata e Bashkëpunimit e Shangait dhe Forumi Rajonal i ASEAN-it, dhe ka realizuar një bashkëpunim efektiv me vendet përkatëse përmes kanaleve dypalëshe.

Vitet e fundit, nën ndikimin dhe nxitjen e organizatave terroriste si "Turkistani Lindor", ka qenë e dukshme dalja e shtetasve kinezë jashtë vendit në mënyrë të paligjshme për të marrë pjesë në aktivitete terroriste, gjë që ka ndikuar seriozisht mbi sigurinë dhe stabilitetin kombëtar dhe rajonal. Për të luftuar krime të tilla, agjencitë kineze të zbatimit të ligjit kanë forcuar bashkëpunimin e tyre për zbatimin e ligjit me vendet përkatëse, kanë kryer bashkëpunim ndërkombëtar për zbatimin e ligjit në përputhje të rreptë me ligjin, kanë paraqitur dëshmi për veprimet e paligjshme dhe kanë kryer riatdhesimin në një mënyrë të rregullt. Autoritetet gjyqësore gjithmonë kanë respektuar faktet si bazë dhe ligjin për të riatdhesuarit dhe kanë marrë masa ligjore kundër veprimeve të paligjshme e kriminale në përputhje të rreptë me ligjet e rregulloret përkatëse të Kinës. Këto përpjekje kanë ruajtur në mënyrë efektive sigurinë dhe stabilitetin e Kinës dhe të rajonit. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore