Kina deklaron qëndrimin mbi projektligjin e Kongresit amerikan për ujgurët

2019-12-04 11:19:34 CRI Komenti juaj Printoni
Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan ka miratuar "Projektligjin për të drejtat e njeriut të ujgurëve 2019", ku përbaltet qëllimisht gjendja e të drejtave të njeriut në Xinjiang të Kinës, dënohen përpjekjet e Kinës për të luftuar terrorizmin e për të çrrënjosur ekstremizmin dhe sulmohen politikat e Kinës në administrimin e rajonit të Xinjiang-ut, duke shkelur rëndë ligjin ndërkombëtar e rregullat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe duke ndërhyrë brutalisht në punët e brendshme të Kinës.

Zëdhënësja e MPJ-së kineze Hua Chunying deklaroi të mërkurën që Kina shpreh zemërim të fortë dhe kundërshtim të vendosur lidhur me këtë.

Çështjet e Xinjiang-ut nuk janë çështje të të drejtave të njeriut, të kombësive ose feve, por lidhen me luftën kundër dhunës dhe separatizmit. Xinjiang-u ka vuajtur pasoja të rënda nga ekstremizmi dhe veprimet e dhunshme. Përpara një gjendjeje të tillë serioze, qeveria e Rajonit Autonom të Xinjiang-ut ka goditur veprimet e dhunshme terroriste sipas ligjit, duke i kushtuar rëndësi burimit nga lind dhuna. Ajo ka punuar aktivisht për çrrënjosjen e ekstremizmit, duke nxitur pandërprerë forcimin e zhvillimit ekonomik, të unitetit kombëtar dhe të harmonisë shoqërore. Falë këtyre masave, në tre vjetët e fundit në Xinjiang nuk ka ndodhur asnjë sulm terrorist dhe këto masa janë përkrahur gjerësisht nga banorët e kombësive të ndryshme të Xinjiang-ut. Ky është gjithashtu një kontribut pozitiv në luftën globale kundër terrorizmit.

Bashkësia ndërkombëtare i ka vlerësuar pozitivisht politikat e qeverisë kineze për Xinjiang-un. Qysh nga fundi i vitit 2018, mbi 70 grupe me 1000 zyrtarë e studiues nga vende, rajone, organizata ndërkombëtare, media dhe grupe fetare kanë bërë vizitë në Xinjiang, duke vlerësuar që përvoja e çrrënjosjes së ekstremizmit dhe e antiterrorizmit e Xinjiang-ut mund të përdoret edhe gjetkë.

Në muajin mars, Këshilli i Ministrave të Jashtëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik miratoi një rezolutë, ku vlerësohen përpjekjet e Kinës për të mirën e banorëve myslimanë të saj. Në muajin korrik, përfaqësuesit e mbi 50 vendeve në Zyrën e OKB-së në Gjenevë i dërguan një letër Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, ku vlerësojnë pozitivisht respektimin dhe garantimin nga Kina të të drejtave të njeriut në procesin e çrrënjosjes së ekstremizmit dhe të luftës kundër terrorizmit. Në muajin tetor, në mbledhjen e komitetit për çështjet shoqërore, kulturore dhe humanitare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, mbi 60 vende vlerësuan përparimet e mëdha të të drejtave të njeriut në Xinjiang. Të gjitha këto kanë vërtetuar fuqimisht që veprimet e ShBA-së lidhur me çështjen e Xinjiang-ut janë krejtësisht kundër fakteve e mendimeve kryesore të bashkësisë ndërkombëtare.

ShBA-ja duhet ta dijë që çështjet e Xinjiang-ut janë krejtësisht punë të brendshme të Kinës dhe nuk do të lejohet ndërhyrja e huaj lidhur me këto çështje. Sulmet e qëllimta të ShBA-së ndaj politikave të Kinës do të zbulojnë më tej standardin e dyfishtë të palës amerikane mbi çështjet antiterroriste dhe populli kinez do të shohë më qartë qëllimin e vërtetë të rrezikshëm nën maskën e hipokrizisë.

Qeveria dhe populli kinez kanë vullnet të vendosur për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat kombëtare. Orvatjet e ShBA-së për prishjen e marrëdhënieve mes kombësive të Kinës dhe për të minuar stabilitetin në Xinjiang dhe zhvillimin e Kinës nuk do të kenë asnjë rezultat. ShBA-ja duhet të ndreqë menjëherë gabimet, të ndalojë kthimin e projektligjit mbi Xinjiang-un në ligj dhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme të Kinës duke shfrytëzuar çështjen e Xinjiang-ut. Kina do të bëjë reagim të mëtejshëm lidhur me këtë problem sipas gjendjes përkatëse.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore