2019-12-03 16:40:09 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Të hënën pasdite, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij rus Vladimir Putin ndoqën ceremoninë e përurimit të linjës lindore të gazsjellësit Kinë-Rusi. Ky gazsjellës konsiderohet si projekti simbol i bashkëpunimit energjetik kino-rus.
Xi dhe Putini zhvilluan gjithashtu një bisedë video mes tyre, gjatë së cilës, presidenti Xi shprehu urime të përzemërta për përurimin e gazsjellësit dhe i falënderoi ndërtuesit e të dy vendeve:
"Në vitin 2014, unë dhe presidenti Putin ishim të pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit. Gjatë pesë vjetëve, ndërtuesit e të dy vendeve kanë zhvilluar bashkëpunim të ngushtë, duke e kryer detyrën e ndërtimit me cilësi të lartë. Përurimi i gazsjellësit është pikënisja e re e bashkëpunimit dypalësh. Shpresoj se të dy palët do të sigurojnë funksionimin e rregullt të gazsjellësit, duke nxitur zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik e shoqëror në rajonet ku kalon ai."
Presidenti Vladimir Putin u shpreh nga ana e tij se përurimi i linjës lindore të gazsjellësit Rusi-Kinë ka rëndësi të madhe dhe do ta çojë bashkëpunimin strategjik dypalësh në një nivel të ri më të lartë:
"Pas nënshkrimit të marrëveshjes në vitin 2014, të dy palët kanë bërë një punë të lodhshme në kushtet e motit ekstrem, duke e përfunduar ndërtimin sipas afatit. Në 30 vjetët e ardhshëm, Rusia do t'i japë Kinës 1 trilion metra kub gaz natyror. Kjo do të jetë në ndihmë të arritjes së objektivit për shtimin e vëllimit të tregtisë ndërmjet dy vendeve në 200 miliardë dollarë."
Linja lindore e gazsjellësit Kinë-Rusi është linja më e gjatë gazsjellëse në botë. Ajo nis nga Siberia në Rusi dhe shkon deri në rajonin e Deltës së Lumit Jance në Kinë, dhe ka një gjatësi të përgjithshme 8000 kilometra. Ndërtuesit kinezë dhe rusë kapërcyen vështirësitë e sjella nga moti ekstrem dhe terreni i ndërlikuar, duke ndërtuar një gazsjellës të nivelit botëror, por edhe duke krijuar shumë risi, për t'iu përgjigjur kërkesave për mbrojtjen e mjedisit. (Fani)