2019-11-01 11:11:22 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Ekspozita e 2-të Ndërkombëtare e Importit e Kinës do të organizohet nga 5 deri më 10 nëntor në Shangai. Rusia do të bëhet i vetmi vend pjesëmarrës që ftohet në rang shtetëror në të dyja edicionet. Për të shfrytëzuar mirë këtë platformë tregtare, në edicionin e kësaj here, Rusia ka krijuar delegacione me pjesëmarrjen në kategori shtetërore, të qeverive lokale dhe të fushave specifike. Në një intervistë të posaçme për Radion e Jashtme të Kinës, zyrtarët e Bashkisë së Moskës bënë të ditur se ekspozita ndërkombëtare e importit është bërë platforma me më shumë ndikim ekonomiko-tregtar dhe se kryeqyteti rus do të demonstrojë produkte të fjalës së fundit të teknologjisë.
Një ndër përgjegjësit e delegacionit të Bashkisë së Moskës, zv.drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve Ekonomike Ndërkombëtare të këtij qyteti, Evgeny Dridze u shpreh se meqë kjo është hera e parë që bashkia dërgon një delegacion në ekspozitë, ajo ka bërë përgatitje të shumta me shpresën që të shfaqë projektet më konkurruese dhe me më shumë mundësi bashkëpunimi.
"Këtë herë, të gjitha 15 kompanitë pjesëmarrëse në ekpozitë janë nga fusha e industrisë së risive sepse vitet e fundit, Moska po përkrah në përmasë të madhe zhvillimin e teknologjisë së lartë në mënyrë të gjithanshme. Në Moskë janë përqendruar gati 90% e burimeve të industrisë inteligjente, prandaj kemi epërsi të mëdha në teknologjinë e lartë. Shpresojmë, se ato (kompanitë) mund të krijojnë lidhje me partnerë kinezë. Ekspozita e importit është një ndër platformat me më shumë potencial dhe ndikim. Kështu që kemi bërë shumë përgatitje në përpilim dhe projektim për pjesëmarrjen", tha z. Dridze.
Kina është një ndër destinacionet kryesore të eksportit të Moskës. Sipas të dhënave vendore, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, vëllimi i eksportit të produkteve jo-energjetike të Moskës ndaj Kinës u rrit 39.6%, duke arritur në 573 milionë dollarë amerikanë. Deri tani, makineritë industriale, pajisjet e telekomunikacionit dhe druri janë tre produktet industriale që Kina kërkon më shumë nga Moska. Kurse birra kryeson listën e kategorisë "ushqime dhe pije". Në përgjithësi, eksportet nga Moska drejt Kinës kanë ruajtur një rritje prej 20% në vit. Në disa fusha, kjo shifër mund të shkojë deri në 95%.
Në dy vjetët e ardhshëm, Kina dhe Rusia do të organizojnë një sërë aktivitetesh me temën e risisë teknologjike. Lidhur me planin e ardhshëm, Dridze bëri të ditur se parqet industriale të Moskës do të krijojnë lidhje të ngushta me homologët në Shangai si dhe qytete të tjera të Kinës. "Ne do të nxisim realizimin e më shumë shkëmbimeve dhe kontakteve midis ndërmarrjeve të dy vendeve në fushën e teknologjisë së lartë. Kjo është përgjegjësia e bashkësisë sonë sepse një ndërmarrje e vetme e ka të vështirë të integrohet me tregun e jashtëm. Do të shërbejmë si një urë lidhëse", tha zv.drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve Ekonomike Ndërkombëtare të Bashkisë së Moskës.