Kinë, rritet e ashtuquajtura "ekonomi e pushimeve"

2019-10-08 19:51:08 CRI Komenti juaj Printoni

Gjatë pushimit njëjavor me rastin e Ditës Kombëtare, tregu kinez i konsumit shfaqi gjallëri dhe energji të reja.

Sipas vlerësimit të Ministrisë së Tregtisë, gjatë shtatë ditëve të pushimit që nga 1 tetori, vëllimi i shitjes me pakicë dhe të ardhurat e kompanive furnizuese të ushqimit arritën në 1.52 trilionë juanë, ose mbi 213 miliardë dollarë amerikanë, 8.5% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Dasmat dhe bashkimi familjar mbështesin rritjen e të ardhurave të restoranteve, ndërsa porositë në platformat elektronike kanë dhënë kontribut të ri për lulëzimin e këtij biznesi. Në Pekin, vëllimi i biznesit të shumë restoranteve të njohura është dyfishuar, ndërsa në provincat si Qinghai, Hubei, Sichuan, Jiangsu etj., sondazhet treguan një rritje 10 % të të ardhurave të restoranteve.

Për sa i përket rritjes së nivelit të konsumit, aparatet elektro-shtëpiake, si kondicionerët, pastruesit e ajrit, televizorët dhe celularët e tipit të ri me teknologji të kohës së fundit kanë fituar parapëlqimin e konsumatorëve.

Ndërkohë, edhe konsumi lidhur me turizmin, kinematë, ekspozitat, sportin dhe blerjen e librave ka benë i popullarizuar mes banorëve gjatë kalimit të festës. Të dhënat në disa nga fushat e sipërpërmendura kanë shënuar rekorde të reja. Për shembull, gjatë tërë ditëve të pushimit, 135 milionë veta në Kinë shkuan në kinema, duke sjellë 5.05 miliardë juanë ose 708 milionë dollarë amerikanë të ardhura nga shitja e biletave. Ndërsa, të ardhurat nga turizmi i brendshëm i kaluan 649.7 miliardë juanët, 8.47% më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2018.

Edhe turizmi jashtë vendit ka njohur një rritje të madhe. Gjatë pushimeve njëjavore, mbi 7 milionë kinezë bënë vizitë në vendet e huaja. Fluksi i turistëve kinezë vijoi në destinacione të vjetra, si Japonia, Tajlanda, Malajzia, Singapori, Australia, Franca, Italia dhe Rusia, duke u rritur në mënyrë të dukshme edhe në Republikën Çeke, Austri, Hungari, Sllovaki, Poloni, Kroaci, Maltë, Kamboxhia etj.

Sipas analistëve, të dhënat e mira të konsumit gjatë ditëve të pushimit vërtetojnë përsëri gjallërinë e madhe të ekonomisë kineze. Në të ardhmen, personalizimi, teknologjia inteligjente dhe ngritja e cilësisë do të zotërojnë prirjen e përmirësimit të konsumit në Kinë. (Zhang Yan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore