Kina dhe Koreja e Veriut bien dakord të forcojnë bashkëpunimin dypalësh

2019-06-21 10:31:15 CRI Komenti juaj Printoni

Udhëheqësit kryesorë të Kinës e të Koresë së Veriut kanë zhvilluar bisedime në Phenian mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe zgjidhjen e çështjes bërthamore të Gadishullit Korean.

Ky është takimi i pestë mes Xi Jinping-ut dhe Kim Jong Un-it që nga viti i kaluar.

Të dy liderët kanë rënë dakord të krijojnë një të ardhme të shkëlqyer të marrëdhënieve ndërpartiake e ndërshtetërore, në një pikënisje të re në histori.

Presidenti Xi Jinping i tha Kim Jong Un-it se Kina është e vendosur për të ruajtur, konsoliduar dhe zhvilluar marrëdhëniet e saj me Korenë e Veriut.

Ai gjithashtu u bëri thirrje të dy palëve të forcojnë kontaktet e nivelit të lartë dhe të thellojnë komunikimin strategjik përballë ndryshimeve komplekse dhe të thella në gjendjen globale e rajonale.

Kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje gjithashtu se të dy palët duhet të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha të tilla si arsimi, shëndetësia, sporti, mediet, shkëmbimet rinore, si edhe në nivel të pushtetit vendor.

Nga ana e tij, Kim Jong Un-i tha lidhur me strategjinë e re të Koresë së Veriut se vendi i tij është i gatshëm të mësojë më shumë nga përvoja e Kinës dhe të përpiqet të zhvillojë ekonominë.

Mbi çështjen bërthamore të Gadishullit Korean, Xi Jinping-u u bëri thirrje Phenianit dhe Uashingtonit të vazhdojnë të ruajnë dialogun.

Presidenti Xi ritheksoi mbështetjen e Kinës për të gjetur një zgjidhje politike dhe u shpreh se Kina është gatshme të ndihmojë në krijimin e kushteve të nevojshme për arritjen e kësaj zgjidhjeje.

Xi Jinping-u vlerësoi lart përpjekjet e bëra nga pala verikoreane dhe tha se Kina dëshiron ta ndihmojë Korenë e Veriut lidhur me zgjidhjen e problemeve të saj të ligjshme të sigurisë dhe zhvillimit, dhe do të luajë një rol pozitiv dhe konstruktiv në arritjen e denuklearizimit të plotë.

Kim Jong Un-i tha nga ana e tij se Koreja e Veriut do të ruajë durimin, duke shtuar se Pheniani dëshiron të arrihet një zgjidhje që mund të përputhet me shqetësimet e ligjshme të çdo pale.

Ai shtoi se kjo mund të realizohet nëpërmjet procesit ekzistues të dialogut.

Kim u shpreh se Koreja e Veriut do të vazhdojë të forcojë komunikimin dhe bashkërendimin me Kinën, për të gjetur një zgjidhje politike.

Xi Jinping-u është kreu i parë i shtetit kinez që viziton Korenë e Veriut në 14 vjet.

Para mbajtjes së takimit të enjten, më shumë se 250 mijë banorë të Phenianit dolën në rrugë për të mirëpritur udhëheqësin e Kinës. (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore