Kinë: Shitjet me pakicë në internet ruajnë rritjen e fortë në 5-mujorin e parë

2019-06-20 10:12:23 CRI Komenti juaj Printoni

Një raport i Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës tregon se tregu i shitjeve në internet po vijon rritjen e fortë këtë vit, sidomos për sa u përket importeve nga vendet e "Një brez, një rrugë" dhe markave vendase të modës.

Sipas raportit të Akademisë, shitjet me pakicë në internet ishin rreth 4 trilionë juanë në pesë muajt e parë të këtij viti, 18 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vjetshme.

Drejtori i Departamentit të Kërkimeve për të Dhënat e Mëdha të kompanisë së tregtisë në internet "JD" , thotë se produktet e importit janë mjaft të pëlqyera nga konsumatorët kinezë:

"Nga statistikat për produktet nga vendet e 'Një brez, një rrugë', mund të shohim se këto produkte janë mjaft të popullarizuara në mesin e konsumatorëve kinezë, veçanërisht ato me karakteristika rajonale, siç janë mallrat e konsumit ose ushqimi i freskët. Për shembull, në gjysmën e parë të vitit 2019, importimi nga Kili i produkteve të detit u rrit më shumë se 23-fish, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016."

Markat vendase kineze kanë njohur gjithashtu rritje të fortë të shitjeve në dyqanet në internet dhe ato reale, dhe klientët e rinj në veçanti po kërkojnë produkte të markave kineze, sidomos kur është fjala te moda.

Këto marka nga ana e tyre po reagojnë me oferta inovative të reja, si parfumet nga marka 60-vjeçare kineze e karameleve me qumësht "White Rabbit". U deshën vetëm 10 minuta për 14 mijë shitjet e para kur parfumet e reja u hodhën në treg.

Liu Tao, një hulumtues Këshilli i Shtetit i Kinës, thotë arsyet për lulëzimin e markave vendore:

"Markat e brendshme janë duke u bërë gjithnjë e më popullore në gjirin e konsumatorëve, për shkak të risive të tyre teknologjike dhe përmirësimit të cilësisë. Ndërkohë, duke plotësuar dhe drejtuar kërkesat e konsumit, markat kineze kanë një hapësirë më të madhe rritjeje dhe kështu ka një ndërveprim të shëndoshë midis zhvillimit të kompanive dhe përparimit të këtij sektori. "

Kina ka 450 milionë familje, që do të thotë se ka mesatarisht një blerës në internet për familje.

Shitjet me pakicë në internet në Kinë parashikohet të arrijnë 10 trilionë juanë sivjet dhe mbi 12 trilionë vitin e ardhshëm.

Mrekulli
Lajmet Kryesore