| 2019-01-02 10:39:30 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Me rastin e Vitit të Ri 2019, liderët e shumë vendeve mbajtën fjalime urimi, ku u shprehën se duhet të përballohen aktivisht sfidat dhe të nxitet zhvillimi i brendshëm e bashkëpunimi ndërkombëtar, duke dhënë ndihmesë për një të ardhme më të mirë.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin
Presidenti rus Vladimir Putin tha në mesazhin e tij të urimit se përmirësimi i vetes, i familjes dhe i vendit, varet vetëm nga kontributi vetjak, bashkëpunimi i ndërsjellë dhe përpjekjet e përbashkëta. Rusia përballet me një sërë detyrash urgjente në fushat ekonomike, shkencore e teknologjike, mjekësore, arsimore, kulturore etj. Rusisë i duhet të bëjë përpjekje të pandërprera për të nxitur lulëzimin e vendit dhe për të ngritur nivelin e jetesës së popullit.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha nga ana e saj se Gjermania përballet me problemet e ndryshimit të klimës, kontrollit të imigracionit, goditjes së terrorizmit ndërkombëtar etj. Gjermania duhet të jetë më e vendosur dhe të marrë përsipër më shumë përgjegjësi ndërkombëtare për interesat e saj.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron
Presidenti francez Emmanuel Macron nga ana e tij u bëri thirrje qytetarëve francezë të kenë shpresë dhe besim në "të ardhmen tonë të përbashkët". Duke iu referuar veprimeve të dhunshme të kohëve të fundit në Francë, ai tha se do të ruajë "rendin republikan me vendosmëri".
Kryeministrja britanike Theresa May shprehu shpresën se Britania e Madhe, e përçarë për shkak të referendumit për "Brexit"-in, do të formojë një marrëdhënie të re e të fortë partneriteti me vendet fqinje evropiane në vitin 2019.

Lideri suprem i Koresë së Veriut, Kim Jong-un
Lideri suprem i Koresë së Veriut Kim Jong-un tha se realizimi i plotë i objektivit të një Gadishulli Korean pa armë bërthamore është një qëndrim i pandryshuar i partisë dhe qeverisë së Koresë së Veriut. Prandaj, pala verikoreane shpalli ndalimin e prodhimit, testimit, përdorimit ose përhapjes së armëve bërthamore. Ai u shpreh se është i gatshëm për të zhvilluar përsëri bisedime me presidentin amerikan Donald Trump.
Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in vuri në dukje se ai do të përpiqet për realizimin e "paqes së pakthyeshme" në Gadishullin Korean.
Kryeministri japonez Shinzo Abe u shpreh se çështja më e rëndësishme për Japoninë këtë vit është zgjidhja e problemit të numrit të ulët të lindjeve dhe plakjes së popullsisë. Përveç kësaj, ai nënvizoi se marrëdhëniet japonezo-kineze do të hyjnë në epokën e re në vitin 2019.(Xu Guang/ Foto nga VCG)
