2018-11-15 15:02:05 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Zëdhënësja e Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës Liu Aihua u shpreh të mërkurën se nga të dhënat mbi funksionimin e ekonomisë kombëtare në tetor, del se treguesit kryesorë kanë qenë brenda sferës së arsyeshme. Gjendje e funksionimit të ekonomisë kineze nuk ka pasur ndryshime dhe ka kushte të mjaftueshme për të ruajtur zhvillimin e qëndrueshëm.
Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës publikoi të mërkurën disa të dhëna ekonomike për tetorin. Në krahasim me tetorin e vitit të kaluar, vlera e shtuar në të ashtuquajturën industri të përmasave të mëdha pati rritje 5.9 për qind, treguesi i prodhimit të shërbimeve u rrit me 7.2 për qind, ndërsa vëllimi i përgjithshëm i shitjes së mallrave të konsumit me pakicë u shtua 8.6 për qind. Nga janari deri në tetor, rritja në industrinë e prodhimit teknologjik dhe të pajisjeve ishte përkatësisht 11.9 për qind dhe 8.4 për qind. Statistikat e publikuara nga Ministria e Burimeve Njerëzore dhe e Sigurimeve Shoqërore e Kinës tregojnë që në dhjetë muajt e parë të sivjetshëm, u shtuan 12 milionë vende të reja pune.
Zëdhënësja Liu Aihua nënvizoi disa prej karakteristikave të ekonomisë kineze:
"Së pari, kërkesa për prodhim është përgjithësisht e qëndrueshme. Së dyti, punësimi dhe çmimi i mallrave janë të stabilizuar. Së treti, po nxitet me qëndrueshmëri rregullimi strukturor. Nga këta tre faktorë mund të vihet re se ekonomia ka ruajtur në përgjithësi prirjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe në rritje.
Vlen të theksohet se, nga janari në tetor, ritmet e shtimit të investimeve në infrastrukturë kanë qenë relativisht të dukshme, me një rritje 3.7 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, 0.4 pikë përqindjeje më shpejt sesa në tre tremujorët e mëparshëm.
Për sa i përket perspektivës së ekonomisë kineze, Liu Aihua shtoi se Kina ka një treg të madh dhe burime të pasura njerëzore që sigurohen nga popullsia prej mbi 1.3 miliardë banorësh, 170 milionë ndër të cilët kanë kryer arsim të lartë e profesional dhe janë persona të kualifikuar. Kina ka gjithashtu një sistem të plotë industrial dhe një infrastrukturë në përmirësim e sipër. Zëdhënësja vuri në dukje se tani ka hapësirë të gjerë që politikat makroekonomike të Kinës të luajnë rolin e duhur.
(Wang Xianya)