CIIE jep sinjal pozitiv, Gjermania dëshiron më shumë bashkëpunim me Kinën

2018-11-13 15:05:55 CRI Komenti juaj Printoni

Ekspozita e 1-rë Ndërkombëtare e Importit e Kinës (CIIE), që zgjati gjashtë ditë, u mbyll më 10 nëntor. Si një prej palëve të ftuara, Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë e Gjermanisë (DIHK) organizoi pjesëmarrjen në këtë ekspozitë të 170 kompanive gjermane, nga sektorë si ai i automjeteve, prodhimi inteligjent, prodhimi i pajisjeve, mjekësia, farmaceutika, produktet bujqësore etj. Thomas König, drejtor i Njësisë së Azisë Lindore në Departamentin e Tregut Ndërkombëtar të DIHK-ut u shpreh se organizimi i suksesshëm i edicionit të parë të ekspozitës vë një bazë të fortë për organizimin e saj në të ardhmen, duke theksuar bindjen për zgjerimin e pjesëmarrjes së kompanive gjermane.

Thomas König-u vuri në dukje se presidenti kinez Xi Jinping, në fjalimin e tij në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, përmendi "globalizimin", "inovacionin", "tregtinë shumëpalëshe" dhe fjalë të tjera kyçe, që janë tema kryesore të kohës dhe mund të gjejnë lehtë jehonë në bashkësinë ndërkombëtare. Njëkohësisht, sipas König-ut, një sërë masash për zgjerimin dhe hapjen e mëtejshme të shpallura nga presidenti Xi, japin një sinjal pozitiv dhe janë shumë mbresëlënëse:

"Vura re që një pjesë e madhe e përmbajtjes (së fjalimit) ishte paraqitur nga presidenti Xi në Forumin e Boaos, gjë që pasqyron vendosmërinë e zgjerimit të reformës dhe hapjes të qeverisë kineze. Ky është një proces i gjatë dhe ne do ta ndjekim nga afër dhe do ta mirëpresim. Emri i panairit tregon se Kina do të vazhdojë të shtojë përpjekjet për zgjerimin e importit, prandaj kemi besim për forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit në të ardhmen."

Përfaqësuesi nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Gjermanisë shtoi se mbajtja me sukses e ekspozitës së parë të importit ka vënë themele të forta për organizimin e kësaj veprimtarie në të ardhmen. Përvoja e sivjetshme do të shërbejë për ekspozitën e vitit tjetër. König-u shprehu bindjen që në edicionin e dytë jo vetëm do të shtohet numri i kompanive gjermane që do të marrin pjesë, por edhe do të paraqiten më shumë teknologji të reja. Ai shprehu shpresën që temat e ekspozitës do të jenë më të shumëllojshme:

"Përmbajtjet e ekspozitës lidhur me nismën 'Një brez, një rrugë' nuk ishin aq të shumta sa e mendoja. Gjermania, sidomos qarqet e biznesit, ka interes të madh të dijë se si do ta realizojë më mirë me Kinën ndërlidhshmërinë dhe përfitimet e përbashkëta me vendet përgjatë 'Një brez, një rrugë' . Prandaj, jo vetëm në Forumin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për 'Një brez, një rrugë' , por edhe me rastin e Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit, njohja e kompanive tona me mundësinë e bashkëpunimit gjithëdimensional në kuadër të nismës 'Një brez, një rrugë', do të ishte shumë e mirëpritur nga Gjermania."

(Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore