Eksperti amerikan: Ekspozita e importit, masë e rëndësishme e Kinës për zgjerimin e hapjes

2018-10-31 15:18:03 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 5 deri më 10 nëntor do të mbahet në Shangai Ekspozita e 1-rë Ndërkombëtare e Importit e Kinës. Ditët e fundit shumë studiues amerikanë kanë shprehur pritshmërinë e tyre të lartë për këtë veprimtari, duke e cilësuar atë një tregues konkret të vullnetit të Kinës për zgjerimin e hapjes dhe mbajtjen e përgjegjësisë ndërkombëtare si një vend i madh. Deri tani, mbi 3000 kompani nga më shumë se 130 vende e rajone të botës janë regjistruar për të marrë pjesë në këtë ekspozitë, duke përfshirë edhe 200 ndër 500 kompanitë më të fuqishme botërore.

Lidhur me këtë, eksperti amerikan për çështjet e Kinës Robert Kuhn u shpreh se, nëpërmjet organizimit të ekspozitës së importit, Kina jo vetëm ka shfaqur një qëndrim pozitiv për hapjen e mëtejshme të tregut të saj ndaj botës, por edhe dëshirën e nxitjes së zhvillimit të shëndetshëm e të balancuar të tregtisë globale me anën e veprimeve konkrete. Kuhn tha: "Ekspozita e importit që do të mbahet së shpejti, mund të zgjidhë disa probleme tregtare në mënyrë të drejtpërdrejtë, si për shembull fërkimet kino-amerikane. Probleme të tilla si ato tregtare Kina ka zgjedhur t'i përballojë drejtpërdrejt dhe jo t'ua ngarkojë përgjegjësinë të tjerëve, edhe pse është më e lehtë ta bëjë një gjë të tillë. Kina ka treguar në mënyrë të qartë, pra, vullnetin e vet për mbajtjen e përgjegjësisë si një vend i madh, duke zvogëluar suficitin tregtar me disa vende nëpërmjet shtimit të importit. Faktikisht, Kina nuk ka synuar me dashje suficitin tregtar, por ky suficit është rezultat i shkëmbimeve tregtare ndërkombëtare. Megjithatë, Kina ende mban një qëndrim të përgjegjshëm, duke theksuar dëshirën për të zgjeruar aktivisht importet nëpërmjet organizimit të ekspozitës dhe veprimeve të tjera, për të zgjidhur problemet ekzistuese tregtare. Kjo është një masë inovative".

Sipas z. Kuhn, në disa dedadat e mëparshme, Kina, si qendër globale prodhimi, u ka ofruar vendeve të ndryshme produkte të lira dhe cilësore, nga të cilat përfitojnë edhe konsumatorët botërorë. Por, kur lind mosekulibri tregtar, disa vende ngulin këmbë në shifrat e deficitit dhe të suficitit. Ai tha se suficiti tregtar i Kinës është shkaktuar nga ndarja ndërkombëtare e punës në tregti e industri dhe shpërndarja e burimeve në shkallë botërore. Ndërsa zhvillimi shumë i shpejtë i ekonomisë kineze ka përfshirë tregun e madh të krahëve të punës, përkushtimin afatgjatë në ndërtimin e infrastrukturës, thithjen e investimeve të shumta dhe kthimin në qendër prodhimi etj.

Kuhn vuri në dukje se, krahas rritjes së fuqisë ekonomike, Kina po zgjeron pandërprerë hapjen ndaj botës së jashtme. Sipas tij, Ekspozita Ndërkombëtare e Importit që do të mbahet në Shangai, është një masë e re e Kinës për hapjen e tregut dhe mbrojtjen e ekonomisë së hapur globale.

Mrekulli
Lajmet Kryesore