Pse janë afruar Azia dhe Europa?

2018-10-22 11:03:19 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit, kompania holandeze e prodhimit të baterive të litiumit "Lithium Werks BV" vendosi të investojë 1.85 miliardë dollarë amerikanë në Kinë për krijimin e një baze kërkimi për prodhimin e baterive të litiumit. Kjo është shenja më e fundit e hapjes së mëtejshme të tregut kinez dhe gjithashtu hapi i ri i ngushtimit të marrëdhënieve europiano-kineze.

Pak më vonë, në deklaratën e përbashkët pas Samitit Azi-Europë (ASEM), udhëheqësit e 51 vendeve aziatike e europiane si dhe të BE-së e të ASEAN-it u zotuan për përpjekje për hapjen, tregtinë e lirë dhe kundërshtimin e proteksionizmit në çfarëdo forme. Ata shprehën gjithashtu edhe përkrahje ndaj marrëveshjes bërthamore iraniane si dhe përballimit të ndryshimit të klimës.

Pse po forcohet bashkëpunimi Azi-Europë?

Së pari, masat proteksioniste të ShBA-së i kanë sjellë botës sfida të mëdha. ShBA-ja jo vetëm vendosi tarifa të larta doganore ndaj mallrave kineze, por e dënoi BE-në me ngadalësimin e hapjes së tregut. Madje, sekretari amerikan i Tregtisë Wilbur Ross e kërcënoi BE-në me fjalët: "Durimi i presidentit Trump nuk është pa kufi."

Gjatë vitit të kaluar, ShBA-ja u tërhoq me radhë nga disa organizata apo marrëveshje ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Parisit, UNESCO-n, TPP, etj., nën argumentin se ShBA-ja nuk u trajtua drejtësisht. Pa dyshim, politika e Uashingtonit "Amerika e para" ka kërcënuar gjithnjë e më shumë stabilitetin e sistemit global të tregtisë shumëpalëshe dhe funksionimit të tij normal.

Për të përballuar këtë sfidë serioze, vendet aziatike dhe ato europiane kanë nevojë të bashkohen. Tema e këtij edicioni të samitit, të organizuar nga vendet europiane, është shumë e qartë: "Europa dhe Azia: partnerë global përballë sfidave botërore".

Komisionerja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini tha se Samiti Azi-Europë nuk është një mbledhje "kundër Trump-it", duke shtuar se, "ne përkrahim multilateralizmin".

Së dyti, krahas kundërshtimit të proteksionizmit tregtar, vendet aziatike dhe europiane fokusohen edhe te ndërlidhshmëria e kontinentit azi-europian. Nisma "Një brez, një rrugë" dhe strategjia e re e ndërlidhshmërisë i mundëson bashkëpunimit kino-europian shansin dhe kornizën e re për nxitjen e integrimit të mëtejshëm të kontinentit. Aktualisht, midis Kinës dhe Europës vëllimi i tregtisë së mallrave arriti në 1.5 miliardë euro në ditë. Forcimi i ndërlidhshmërisë do jetë në të mirë të nxitjes së mëtejshme të zhvillimit ekonomik si dhe në dobi të popujve të dy palëve.

Së treti, vendet aziatike dhe ato europiane mbajnë koncepte dhe politika të njëjta ose të ngjashme për temat kryesore me shumë ndikim në gjendjen e sotme botërore, përfshirë ndryshimin e klimës globale, problemin bërthamor të Iranit, etj. Azia dhe Europa përkrahin Marrëveshjen e Parisit dhe janë të mendimit se vendet e ndryshme duhet të japin kontributin e vet në mbrojtjen e Tokës. Vlen të theksohet se ShBA-ja është i vetmi vend në botë që u tërhoq nga Marrëveshja e Parisit.

Në problemin bëthamor të Iranit, pala aziatike dhe ajo europiane janë të mendimit se mbrojtja e marrëveshjes bërthamore të Iranit ka të bëjë me respektimin e marrëveshjes ndërkombëtare si dhe sigurinë, paqen e stabilitetin e bashkësisë ndërkombëtare.

Është e dukshme se një rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla, një Organizatë Botërore e Tregtisë me sistemin e tregtisë shumëpalëshe si bërthamë dhe një bashkësi ndërkombëtare largpamëse dhe e përgjegjshme përputhen me shpresën e përbashkët të Azisë dhe të Europës dhe me interesat e gjithë globit. 51 vendet aziatike e europiane përfaqësojnë 60% të popullsisë, 65% të PBB-së dhe 55% të vëllimit të përgjithshëm të globit. Zëri i tyre është i pashpërfillshëm. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore