| 2018-06-26 20:57:39 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
E marta shënoi Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Drogën dhe Trafikimit të Paligjshëm për këtë vit.
Sipas një raporti të Komisionit Kombëtar të Kontrollit të Narkotikëve në vend, Kina ka bërë arritje të mëdha në luftën kundër drogës, por paralajmëron gjithashtu se ekzistojnë ende sfida të vështira përpara.
Në raport thuhet se deri në fund të vitit të kaluar, Kina kishte mbi 2.5 milionë përdorues të drogës të regjistruar, një rritje prej 1.9 për qind krahasuar me një vit më parë.
Më shumë se gjysma e tyre janë midis moshës 18 dhe 35 vjeçare, tregon raporti. Megjithatë, gati 1.7 milion përdorues të lëndëve narkotike rezultojnë të pastruar nga droga për të paktën tre vjet dhe nuk i janë kthyer më përdorimit të saj.
Zv.Drejtori i Komisionit Kombëtar të Kontrollit të Narkotikëve të Kinës, Liu Yuejin, thotë se ka një frenim efektiv të rritjes së përdoruesve të rinj të drogës. Numri i përdoruesve të rinj në vend, që janë nën moshën 35 vjeçare, ra me 19 për qind në vitin 2017, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Aktualisht, pothuajse 240 000 përdorues droge po marrin trajtim të detyrueshëm rehabilitues në 361 qendra në të gjithë vendin.
Zëvendësministri i Drejtësisë i Kinës, Liu Zhiqiang, thotë se tashmë është ngritur një ekip profesionistësh që do të ndihmojë, në mënyrë të unifikuar, në trajtimin e varësisë nga droga.
"Trajtimi profesional mjekësor, edukimi, kujdesi psikologjik dhe trajnimi rehabilitimi, janë të gjitha pjesë kryesore të detoksifikimit. Ministria e Drejtësisë ka ngritur një ekip profesionistësh për të përmbushur nevojat e personave të varur nga droga duke rregulluar dhe përmirësuar metodat e përdorura për trajtimin e tyre", u shpreh ai. (Haris)
