Tirana, qyteti i parë në Ballkan që sjell "Mobike"

2018-06-04 10:44:35 CRI Komenti juaj Printoni

Pas nismës për mbjelljen e mbi 120 mijë pemëve, Tirana është gati të bëhet qyteti i parë në Ballkan që sjell sistemin e biçikletave pa stacion "Smart Bike Share".

Gjiganti "Mobike", kompania që zbaton me sukses në shumë qytete të mëdha të botës, si Parisi apo Firence, sistemin e biçikletave pa stacion, një mënyrë ekologjike dhe novative për të lëvizur në qytet, këtë javë do të nisë zyrtarisht edhe në Tiranë.

Në Ditën Botërore të Biçikletave, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori i "Mobike", nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit që sjell në Tiranë 4 mijë biçikleta "Mobike".

Bashkë me aktivistët e EcoVolis, ata testuan mënyrën e funksionimit të biçikletave të para të ardhura në kryeqytet, ndërsa Veliaj lajmëroi se nga java tjetër në rrugët e Tiranës do të shohim me qindra biçikleta ngjyrë portokalli "Mobike".

"Mobike është një kompani e cila në Shqipëri do të operojë si një bashkëpunim kinezo-italian. E pamë herën e fundit që ishim në Bashkinë e Firences, ndaj pa humbur kohë, duke parë se edhe shumë bashki të tjera në Holandë kanë futur konceptin e Mobike, jemi gati që javën tjetër të sjellim qindra biçikleta në Tiranë, për ta bërë masive përdorimin e biçikletës në qytetin tonë", tha Veliaj.

Për të përdorur biçikletat pa stacion duhet të shkarkoni aplikacionin "Mobike" në celularin tuaj. Regjistrohuni me numrin tuaj të telefonit dhe zgjidhni në hartë biçikletën më të afërt. Më pas, me anë të telefonit, bëni skanimin e "barcode" të biçikletës dhe nga ky moment mund ta përdorni atë në qytetin e Tiranës. (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore