Dimension i ri në marrëdhëniet e mekanizmit "16 +1"

2017-11-29 18:06:21 CRI Komenti juaj Printoni
Një optimizëm i mbështetur mbi veprime e iniciativa konkrete, e mbi të gjitha mbi nismën e kryeministrit kinez Li Keqijang për zhbllokimin e 3 miliardë eurove për projekte, si konkretizim praktik i bashkëpunimit të Pekinit me vendet e Europës Qendrore e Lindore, ka përshkuar gjithë Takimin e Liderëve Kinë-EQL të zhvilluar në Budapest.

Takimi nuk ishte thjesht një paraqitje dhe identifikim i mundësive që ekzistojne midis Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore për rritjen e bashkëpunimit, por ishte një hapje e re faqeje në këtë bashkëpunim që çdo ditë e më shumë rrit dimensionet e tij.

Takimi i Budapestit u përshkua nga një optimizem i të gjitha vendeve për rritje të metejshme të investimeve, çfarë perkthehet në rritje të konsoliduar të ekonomise e zhvillimit.

Kjo qasje rajonale, e cila bashkon një grup shumë të larmishëm vendesh që shtrihen midis dy deteve, nga vendet baltike deri në Ballkan, ka bërë të mundur që të ketë edhe një klime të re bashkëpunimi, çfare ka favorizuar ndjeshëm tregtinë, investimet dhe qasjet në projekte të përbashkëta.

Mekanizmi "16+1" është një nga përbërësit e nismës "Një brez, një rrugë" të platformës së Presidentit kinez Xi Jiping. Platforma është shumëdimensionale dhe me ndikim shumë të rëndësishëm gjeopolitik. "16 + 1" është pjesë themelore e vizionit ekonomik dhe politik të Kinës në botë dhe ka si qëllim final integrimin e saj më të thellë në sistemin ekonomik boteror. Pas vitit 2009 vërejmë një rritje të ndjeshme të ndërveprimit të Kines me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Një sërë nismash me ndikim dhe peshë në ekonominë e këtyre vendeve, funksionojnë sot në mënyrë dypalëshe dhe shumëpalëshe. Përqendrimi në tre fusha të rëndësishme, siç janë tregtia, investimet dhe rrjeti i transportit, nuk kufizon mundësitë që të kete vëmendje edhe për fusha të tjera, siç janë turizmi, kultura etj. Kjo gjë u nënvizua edhe në samitin e Budapestit, duke synuar për t'u dhënë një hapësirë më të madhe mundësive të komunikimit.

E rëndësishme është se në Budapest u theksua se paralelisht me rritjen e komunikimit e ndërveprimit ekonomik, është bërë e mundur që të relaksohen në frymë pozitive edhe marrëdheniet midis vendeve të përfshira në këtë nismë.

Duke u ndalur në komponentët kryesorë të kësaj nisme, takimi i Budapestit riafirmoi nevojën që mes Kinës e vendeve të EQJ-së të synohet një intensifikim i shkëmbimeve, po edhe një balancim i tregtisë mes tyre. 58 miliardë dollarë ka qenë vlera e shkëmbimeve tregtare të Kinës me vendet e mekanizmit "16 +1" gjatë vitit 2016, por ato janë përqendruar në pesë shtete: Poloni , Çeki, Hungari, Sllovaki dhe Rumani. Ashtu si edhe tregtia, edhe investimet janë përfituar nga pesë vende: Hungari, Poloni, Bullgari, Çeki dhe Sllovaki. Në Shqiperi në total investimet kineze kapin shifrën e 700 milionë dollarëve. Prandaj, gjykuar me mundësitë, hapësirat janë shumë më të mëdha.

Pra, kemi të bëjmë me zhbalancim të ndjeshëm në tregti dhe investime, por kjo nuk do të thotë se mundësitë janë të kufizuara për një raport ndryshe. Kjo u theksua edhe gjatë samitit të Budapestit.

Takimi i Budapestit forcoi me shumë bindjen e një ndërveprimi të përbashket dhe të nevojës për projekte të përbashketa, kryesisht në infrastrukturë, çfarë bën të mundur që prirja e investimeve të vijë në rritje.

Gëzim Podgorica

Mrekulli
Lajmet Kryesore