2017-11-28 10:13:30 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Në fjalën e saj në Samitin e 6-të mes Kinës dhe 16 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në Budapest, Mesi theksoi rëndësinë e kësaj nisme si një instrument shumë i mirë bashkëpunimi ndërmjet shteteve në drejtim të rritjes dhe përforcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes tyre në fusha të ndryshme.
Zv./kryeministrja shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të vazhduar angazhimin me projekte konkrete kombëtare dhe ndërrajonale në infrastrukturën rrugore e hekurudhore, energji, turizëm apo bujqësi, të cilat do të përmirësojnë më tej cilësinë dhe efikasitetin e këtij partneriteti.
Në kuadër të Samitit, u firmosën dy marrëveshje bashkëpunimi me Kinën: një në fushën e doganave dhe një në fushën e energjisë, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes vendeve.
Përveç takimeve të liderëve, samiti u shoqërua edhe me një forum biznesi dhe me takime mes koordinatorëve kombëtarë të çdo vendi. Në të njëjtën kohë, u firmos edhe "Udhërrëfyesi i Budapestit", i cili do të përforcojë edhe më shumë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrëse.
Shqipëria mbetet mbështetëse e çdo nisme që sjell përfitime të ndërsjella për ekonominë dhe popujt tanë dhe është e vendosur për të ndjekur nismat e ndërmarra duke u përpjekur t'i kombinojë ato me agjendën e integrimit europian.
Nisma 16+1 synon të thellojë dhe zgjerojë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrëse, 11 prej të cilave janë vende anëtare të Bashkimit Europian.
Drejtimet dhe fushat e bashkëpunimit në kuadër të kësaj Nisme, janë në të njëjtën linjë me përparësitë e tanishme që ka Shqipëria dhe në shumë prej tyre, vendi ka mundësi për të ofruar dhe realizuar bashkëpunime e përfitime konkrete në fusha të ndryshme. (ATSh/Leftion Peristeri)