2017-08-20 09:33:07 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Më shumë se dhjetë marrëveshje janë nënshkruar nga vendet e përfshira në nismën "Një brez, një rrugë" të shtunën për të forcuar përpjekjet lidhen me reagimin emergjent mjekësor dhe parandalimin e epidemive.
Marrëveshjet u miratuan në një simpozium ku morën pjesë zyrtarë nga më shumë se 30 vende, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për HIV/AIDS.
Ato synojnë gjithashtu përmirësimin e mbrojtjes së shëndetit publik në vendet e përfshira në këtë nismë.
Zv.kryeministrja kineze Liu Yandong tha në fjalimin e vet në simpozium se Kina do të vazhdojë të mbështesë bashkëpunimin global në shëndetësi.
Ajo u bëri thirrje vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë" të bashkërendojnë politikat e tyre shëndetësore, të forcojnë parandalimin e përbashkët dhe kontrollin e sëmundjeve infektive, si edhe të rritin aftësitë e reagimit ndaj emergjencave të shëndetit publik.
Numri dy i qeverisë kineze tha se në gjysmën e shekullit të kaluar Kina ka dërguar një personel mjekësor prej 25 mijë vetash në rreth 70 vende e rajone, dhe do të vazhdojë përpjekjet për të rritur sigurinë e shëndetit publik në shkallë globale.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus vlerësoi përpjekjet e Kinës dhe bëri thirrje për bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen.