"Geo-Jade", partneri kinez i Shqipërisë në fushën e naftës

2017-08-14 11:05:34 CRI Komenti juaj Printoni
"Nën drejtimin e nismës "Një brez, një rrugë" dhe mekanizmit të bashkëpunimit "16+1", në fund të vitit 2016, vëllimi i investimeve kineze në tregun shqiptar është rritur në 760 milionë dollarë amerikanë, nga 87 milionë që ishte në fund të vitit 2015. Një rritje e tillë ka ardhur për arsye të dy projekteve të mëdha: blerja e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës "Nënë Tereza" nga grupi "Everbright" dhe blerja e kompanisë së naftës "Bankers Petroleum" nga grupi "Geo-Jade".

Në vitin 2004, kompania kanadeze "Bankers" nënshkroi një marrëveshje koncesionare për shfrytëzimin e fushës naftëmbajtëse Patos-Marinzë, e cila është fusha më e madhe naftëmbajtëse që është në prodhim në kontinentin europian, me përjashtim të Rusisë. Vëllimi i naftës bruto të prodhuar këtu është afro 1.2 milionë tonë në vit dhe ajo luan një rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Grupi "Geo-Jade" i Kinës është një kompani e specializuar në eksplorimin dhe nxjerrjen e naftës dhe gazit natyror. "Geo-Jade" ka përparësi të dukshme profesionale në studimin teknologjik, menaxhim dhe rrjetin e biznesit. Në muajin shtator të vitit 2016, grupi "Geo-Jade" bleu 100 % të aksioneve të kompanisë kanadeze "Bankers", duke realizuar investime në fushën naftëmbajtëse Patos-Marinzë.

Patos-Marinza është një zonë me naftë të rëndë (naftë bruto me dendësi të madhe), nxjerrja dhe ruajtja e së cilës është e ndërlikuar. Kompanitë perëndimore nuk zotërojnë teknologjinë e përshtatshme për nxjerrjen e naftës së rëndë. Drejtuesi i "Bankers"-it Zhang Guangqing u shpreh që, në bazë të gjendjes vendore, pas blerjes së "Bankers"-it, grupi "Geo-Jade" ka importuar nga Kina teknologjinë moderne për nxjerrjen e naftës së rëndë, si edhe pajisje dhe makineri cilësore me çmim të ulët, çka ka nxitur zhvillimin e projektit, duke ulur në mënyrë të dukshme koston e nxjerrjes së naftës. Tani kompania po bën shpime për puse të rinj nafte dhe ndërkohë po eksploron potencialin e mëtejshëm të puseve të tanishme, duke pasur rezultate pozitive.

Përgjegjësi i palës shqiptare në "Bankers", Kastriot Muskaj, u shpreh që, pas ardhjes së grupit "Geo-Jade", i gjithë personeli shqiptar shpreh besim të plotë te investimet kineze. Sipas tij, investimet kineze do të nxisin më tej nxjerrjen e naftës në Patos-Marinzë. Muskaj u shpreh: "E them këtë, pasi shoh shqetësimin e njerëzve, mendimin e specialistëve kinezë që kanë ardhur këtu, integrimin e tyre menjëherë për njohjen e vendburimit, dhe duke prurë dhe ata eksperiencën e tyre, bashkë me atë të specialistëve shqiptarë dhe kanadezë, të cilët janë këtu aktualisht, puna do të ecë përpara. Mendimi ynë është se ky vendburim do të bëhet një nga asetet më të mira të naftës në Europën Lindore, dhe jo vetëm në Shqipëri dhe Ballkan."

Vitet e fundit, kompanitë kineze kanë bërë investime kryesisht në fushën e minierave, energjetikës, telekomunikacionit dhe burimeve ujore në Shqipëri. Investimet kineze në fushën më të madhe naftëmbajtëse të Shqipërisë kanë sjellë jo vetëm teknologji dhe fonde të reja, por edhe kanë krijuar vende pune. Këshilltari ekonomik e tregtar i ambasadës së Kinës në Shqipëri, Lian Gang, shprehet që numri i të punësuarve drejtpërdrejt ose jo drejtpërdrejt në projektin ne "Bankers" ka arritur në rreth 2000. Përveç njohurive e specializimit, këta punonjës vendorë mund të marrin edhe fitime konkrete.

"Kjo ka rëndësi të madhe. Në fakt, investimet e kompanive kineze në Shqipëri kanë rëndësi në disa drejtime. Ato tregojnë që kompanitë kineze kanë besim te tregu shqiptar. Krahas kësaj, bashkëpunimi në një projekt kaq të madh me investime nga një kompani kineze ka rëndësi shembulli dhe efekt pilot, çka mund të nxitë zhvillimin e sektorëve përkatës," theksoi Lian Gang.

Investimet kineze janë mirëpritur edhe nga qeveria shqiptare, e cila shpreson që të shtohet bashkëpunimi me palën kineze në fushën e naftës dhe gazit natyror. Zv.ministri i Energjisë dhe i Industrisë i Shqipërisë Ilir Bejtja u shpreh në intervistën për "CRI Shqip" se bashkëpunimi Kinë-Shqipëri, posaçërisht me mbështetjen e nismës "Një brez, një rrugë" dhe mekanizmit të bashkëpunimit "16+1", është bërë më i ngushtë. Ai tha se investimet kineze kanë sjellë përfitime të ndërsjella dhe se "Bankers" është një shembull shumë i mirë.

"Pra, intensifikimi i kohëve të fundit është i dukshëm, sidomos pas organizimit të Samitit të Shangait '16+1', ku mori pjesë dhe Shqipëria, dhe interesi i kompanive kineze për investime në Shqipëri është rritur. Ka gjithashtu dhe kompani të tjera me të cilat jemi në marrëdhënie dhe i kemi ndihmuar të futen në tregun shqiptar, në fushën e shërbimeve të naftës dhe të gazit. Por e konsiderojmë këtë kompani ('Bankers') si një partner me të cilin do të punojmë dhe do të përfitojmë," thekson zv.ministri Bejtja.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore