2017-08-10 11:24:18 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Sipas z. Lian, pavarësisht largësisë gjeografike dhe diferencës së madhe për sa i përket vëllimit të ekonomive të tyre, bashkëpunimi ekonomik mes Kinës dhe Shqipërisë ka mundësi të mëdha, sepse të dyja vendet janë në gjendje të plotësojnë kërkesat e njëra-tjetrës me epërsitë që kanë, përveç miqësisë së thellë tradicionale dhe besimit të fortë politik. Tani, kompanitë kineze në Shqipëri e ushtrojnë aktivitetin e tyre kryesisht në fusha si nafta, infrastruktura, industria minerare, energjetika, telekomunikacioni dhe sektori i shërbimeve.
Diplomati kinez në Tiranë vuri në dukje se, për Shqipërinë, investimet nga Kina kanë domethënie të madhe në të paktën katër aspekte. Së pari, ato tregojnë besimin e kompanive kineze te tregu dhe zhvillimi i ardhshëm i Shqipërisë. Së dyti, projektet e mëdha, si blerja e kompanisë së naftës "Bankers" dhe e aksioneve të aeroportit "Nënë Tereza", mund të tërheqin vëmendjen e firmave të tjera, duke nxitur edhe zhvillimin e sektorëve të tjerë në të njëjtin zinxhir industrial. Së treti, bashkëpunimi ka maksimizuar përdorimin e burimeve shumëpalëshe. Për shembull, projekti i aeroportit "Nënë Tereza" ka ndërthurur burimet e palës kineze për sa i përket kapitalit, klientelës (udhëtarë dhe mallra) dhe zgjerimit të biznesit; të palës shqiptare në fushën e shërbimeve dhe të palës gjermane në menaxhim. Si rezultat, numri i udhëtarëve në tremujorin e parë të këtij viti në këtë aeroport u rrit 10 %. Së katërti, kompanitë kineze, përveç biznesit, kanë mbajtur si duhet edhe përgjegjësinë e tyre shoqërore, duke dhënë ndihmesë në shtimin e taksave, rritjen e punësimit dhe trajnimin profesional. Për shembull, në projektin e "Bankers"-it janë punësuar gati 2000 punëtorë vendorë, të cilët në punë kanë zotëruar njohuri dhe përvojë profesionale, duke shtuar edhe të ardhurat. Ndërsa në "Huawei", pjesa dërrmuese e stafit janë shqiptarë, që jo vetëm kanë rritur nivelin e tyre profesional, por edhe kanë sjellë nxitjen e shkëmbimeve njerëzore ndërmjet dy vendeve.
Përsa i përket potencialit të bashkëpunimit në të ardhmen në fushën e investimeve, z. Lian Gang u shpreh se, përveç naftës, minierave, infrastrukturës, hidrocentraleve etj., Shqipëria ka mjaft hapësira zhvillimi në sektorë si industria e përpunimit, turizmi etj.
Sipas tij, me pozitën e favorshme gjeografike, produktet shqiptare mund të futen në tregun e Bashkimit Europian me leverdi të dukshme transporti dhe tarifa të ulëta doganore. Firmat kineze mund të zgjedhin projekte përpunimi sipas kushteve të veta për sa u përket kapitaleve e teknologjisë, ose të zhvillojnë bashkëpunim shumëpalësh, si p. sh. me partnerë italianë a gjermanë etj., për të shfrytëzuar bashkërisht mundësitë e zgjerimit të biznesit në këtë drejtim.
Lidhur me sektorin turistik, z. Lian u shpreh se Shqipëria ka kushte shumë të mira natyrore dhe burime të pasura kulturore për zhvillimin e turizmit. Përveç kësaj, marrëdhëniet kino-shqiptare arritën kulmin në vitet '60 - '70 të shekullit të kaluar, kur Shqipëria la përshtypje të paharrueshme te një brez i tërë kinezësh. "Filmat shqiptarë i kanë shoqëruar ata gjatë rinisë dhe tani shumica e tyre kanë dalë ose do të dalin së shpejti në pension. Besoj se, po të ketë mundësi, ata do të duan ta vizitojnë Shqipërinë e sotme për ta njohur nga afër me sytë e tyre", shtoi këshilltari ekonomik e tregtar kinez në Tiranë Lian Gang.
Investimet kineze në Shqipëri u shtuan nga 87 milionë dollarë amerikanë në vitin 2015 në 760 milionë dollarë amerikanë vitin e kaluar. Krahas zbatimit të nismës "Një brez, një rrugë" dhe mekanizmit të bashkëpunimit "16+1", me thellimin e vazhdueshëm të shkëmbimeve dypalëshe në fusha të ndryshme, pritet që bashkëpunimi ekonomiko-tregtar Kinë-Shqipëri, i bazuar mbi konsultimet e barabarta me leverdi të ndërsjellë, të përparojë në mënyrë të qëndrueshme.