2017-08-01 16:52:13 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Ndër kompanitë kineze që po ushtrojnë biznesin e tyre në Shqipëri, "Huawei" pa dyshim është ndër më kryesoret. Në një intervistë të posaçme për Radion e Jashtme të Kinës, kryemenaxheri i degës së kësaj kompanie në Tiranë, z. Yin Jun, u shpreh se, si një ofrues i përparuar në botë i projekteve të zgjidhjes në fushën e informacionit dhe të teknologjisë së telekomunikacionit, "Huawei" do të luajë një rol më të madh në zhvillimin e kësaj industrie në Shqipëri, duke përgatitur edhe më shumë specialistë shqiptarë të kësaj fushe.
Që nga viti 2007, kur "Huawei" hyri në tregun shqiptar, me produkte cilësore, mbështetje të fortë teknologjike dhe shërbime të mira pas shitjes, ai është bërë një ndër ofruesit kryesorë të pajisjeve të telekomunikacionit për "Vodafone", "Telekom Albania", "ALBtelecom", si edhe partnerë të tjerë të fuqishëm shqiptarë, duke e shtrirë shërbimin e vet në mbarë Shqipërinë.
I ashtuquajturi "lokalizim i stafit" është një strategji biznesi që "Huawei" e ka zbatuar prej shumë vitesh në mbarë botën. Kjo traditë vijon edhe në Shqipëri. Sipas z. Yin, tani, përveç vetëm një numri të vogël drejtuesish, mbi 95 % e punonjësve të "Huawei"-t janë shqiptarë. "Ne duam të japim kontribut për përgatitjen e specialistëve vendorë. Pasi morën përvojë në 'Huawei', disa kolegë shqiptarë janë larguar dhe kanë gjetur poste më të përshtatshme në firmat e tjera brenda e jashtë Shqipërisë. Për këtë, ne nuk jemi kundër, por i nxitim ata të eksplorojnë një botë më të gjerë. Kjo mund të ndihmojë në ngritjen e nivelit dhe zhvillimin e shëndetshëm të këtij sektori në përgjithësi", vuri në dukje z. Yin.
Nga ana e tij, Rudor Novi, menaxher shitjesh i "Huawei"-t në Tiranë, u shpreh: "'Huawei', si një kompani lider në botë, ka një strukturë shumë të organizuar me një staf shumë të përgatitur. Kompania 'Huawei' organizon trajnime të shumta në nivel teknik dhe menaxherial, gjë që i shërben jo vetëm kompanisë në një të ardhme, por edhe stafit për zhvillimin profesional. Unë apo çdo punonjës tjetër i kompanisë kemi dëshirë të vazhdojmë më tej rritjen profesionale."
Në sajë të konceptit të zhvillimit të hapur e bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë, "Huawei" jo vetëm ka arritur sukses në fushën e biznesit, por edhe ka zgjeruar ndikimin e vet në fusha të ndryshme. Gjatë vizitave të tyre në Kinë përkatësisht në vitin 2015 dhe 2016, kryeministri Edi Rama dhe në atë kohë kryeparlamentari, sot presidenti i Shqipërisë, z. Ilir Meta, zhvilluan vizita të veçanta në qendrën kërkimore-shkencore të "Huawei"-t. Gjatë këtyre vizitave, liderët e Shqipërisë shprehën dëshirën për vendosjen e bashkëpunimit afatgjatë në fusha më të gjera me "Huawei"-n.