2017-07-31 15:40:08 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Një vit pas blerjes, numri i udhëtarëve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës "Nënë Tereza" ka pasur një rritje vjetore 10 %, duke dhënë kontribut në ngritjen e të ardhurave tatimore dhe të punësimit vendor.
Me pozitën e favorshme gjeografike në Mesdhe dhe lehtësinë e qasjes në pjesën e brendshme të kontinentit europian, Shqipëria ka epërsi të veçantë si pikë hyrëse në tregun e Bashkimit Europian. Ndërkohë, si nyja më e rëndësishme e transportit ajror të Shqipërisë, aeroporti "Nënë Tereza" është një ndër aeroportet me zhvillim më të shpejtë në Europë. Numri i udhëtarëve në këtë aeroport u shtua nga 600 mijë në vitin 2005 në 2 milionë në vitin 2015, gjë që tregon edhe vitalitetin e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.
Blerja e aksioneve të këtij aeroporti është një fryt i rëndësishëm i bashkëpunimit ekonomik midis kompanive kineze dhe atyre shqiptare në kuadër të nismës "Një brez, një rrugë". Në intervistën për Radion e Jashtme të Kinës, drejtori i menaxhimit të Departamentit të Fondeve Infrastrukturore të "Everbright"-it, Xu Weiguo, u shpreh se pas blerjes, kompania e tij dëshiron të ruajë pozitën e aeroportit si porta e parë e Shqipërisë ndaj botës së jashtme. "Prandaj, nuk do të bëjmë ndryshim të madh në nivel menaxhimi. Kemi ruajtur të gjithë përvojën e suksesshme të së kaluarës dhe jemi përqendruar më shumë në zgjerimin e fushave të reja të zhvillimit, për të shtuar fitimet ekonomike të aeroportit", shtoi z. Xu.
Sipas tij, vetëm vitin e kaluar, Aeroporti hapi dy linja të reja ndërkombëtare përkatësisht me Holandën dhe Hungarinë. Kjo jo vetëm ka shtuar alternativat e udhëtimit të shqiptarëve, por edhe ka zgjeruar biznesin e fluturimeve ajrore në Europë.
Për bashkëpunimin me palën kineze, siç ka qenë edhe blerja e aeroportit "Nënë Tereza", drejtori i Departamentit të Investimeve të Huaja në Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) Genc Çeli vuri në dukje se projekte të tilla jo vetëm kanë dhënë kontribut për shtimin e punësimit dhe e të mbledhjes së taksave, por edhe kanë rritur kualifikimin dhe aftësimin profesional. "Po të shikojmë prirjen e tregut, vërehet se kompanitë kineze nuk janë këtu vetëm sepse importojnë mallra, por janë rritur së tepërmi importet e makinerive dhe pajisjeve. Përveç punësimit, janë rritur dhe njohuritë teknike të punonjësve", tha z. Çeli.
Menaxhimi i mbarë i aeroportit është vlerësuar edhe nga stafi shqiptar. Drejtoresha e Departamentit të Komunikimit të aeroportit Arlinda Çausholli thotë se procesi i blerjes dhe menaxhimit ka qenë shumë njerëzor dhe se qasja e "China Everbright" ka qenë shumë profesionale. "Neve na kanë dhënë një energji pozitive, sepse ata kanë një respekt shumë të madh për profesionistët që kanë vite që punojnë këtu në aeroport. Deri tani nuk ka pasur ndryshime në menaxhim, por pronari i ri ka dëshirën për zhvillimin e aeroportit dhe që, përtej aeroportit, të ketë edhe zhvillime të tjera të rëndësishme në Shqipëri. Ndaj besoj se marrja e aksioneve nga 'China Everbright' ka qenë një hap i rëndësishëm," vëren Çausholli.
"China Everbright" do të zhvillojë bashkëpunim me agjencitë turistike kineze dhe shqiptare për të tërhequr më shumë njerëz nga mbarë bota për ta vizituar Shqipërinë dhe për të investuar aty. Si një qendër e rëndësishme e udhëtimeve, aeroporti do të organizojë edhe veprimtari të ndryshme kulturore. Sipas z. Xu Weiguo, "China Everbright" dëshiron njëkohësisht që, për një periudhë afatgjatë, të shfrytëzojë epërsinë e aeroportit si nyjë transporti dhe mundësinë e zhvillimit bujqësor dhe industrial të Shqipërisë, për ta shndërruar Shqipërinë në një qendër logjistike në Europën Juglindore.