2017-05-18 14:20:13 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Tani, pas ndjekjes dhe analizës mediatike botërore të Forumit, mund të thuhet se, Kina me organizmin e këtij takimi botëror, realizoi qëllimin për ta prezantuar atë si veprimtarinë kryesore ndërkombëtare të vitit, duke vazhduar të promovojë qartë një projekt të madh të infrastrukturës botërore, që pas rindërtimit të Europës me Planin Marshall pas Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë dy ditëve të Forumit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar "Një brez, një rrugë" , u paraqit një listë me 270 dokumente të nënshkruara si rezultatet i zbatimit trevjeçar të nismës kineze.
Liderë nga 29 vende, ranë dakord të punonin së bashku në ndërtimin e rrugëve, hekurudhave, porteve dhe infrastrukturave kyçe, në një nga programet kryesore të diplomacisë ekonomike botërore të udhëhequr nga Kina. Por dokumentet konkretizojnë dhe bashkëpunimin e vendeve pjesëmarrëse me Kinën në fushën politike dhe shkëmbimeve njerëzore.
Për komunikimin politik, qeveria kineze nënshkroi memorandume me 11 vende, një sërë dokumentesh bashkëpunimi me shumë organizata, si me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale, me Interpolin, etj. Kina premtoi thellimin e bashkëpunimit me vende europiane, duke përfshirë Shqipërinë, Greqinë, Hungarinë, Çekinë etj, që kanë shprehur vullnetin për t'ju bashkuar nismës "Një brez, një rrugë".
Sipas burimeve mediatike, nisma bazohet në pesë shina kryesore: koordinimi i politikave, lidhjet e infrastrukturave dhe instalimeve , forcimi i financave , integrimi financiar dhe zgjerimi i lidhjeve mes popujve. Pjesëmarrësit në Forumin "Një brez një rrugë" në Pekin, ranë dakord të përmirësonin bashkëpunimin me qëllim zhvillimin e tregtisë dhe investimeve , duke ju referuar shtypit kinez.
Kjo nismë e ideuar në vitin 2013, nga presidenti kinez Xi Jinping, është programi më i rëndësishëm i ekonomisë Kineze. Xi e hodhi këtë iniciativë për rivitalizuar, rrugën e vjetër të mëndafshit , gjatë së cilës transportoheshin me deve prodhimet e perandorisë kineze drejt Europës përmes Azisë Qendrore.
E gjithë skema ka si qëllim të restaurojë rrugët e vjetra tregtare dhe të hapë tregje të reja .
Rruga tokësore shtrihet nga Kina në Europë , ndërsa rruga detare lidh portet tregtare përmes Azisë , Afrikës dhe Paqësorit .
Takimi aspiroi dhe ndërtoi një platformë bashkëpunimi ndërkombëtar më të hapur , më efikase, më të fortë, ndërkohë që i dha impulse një sistemi qeverisës ndërkombëtar më të drejtë, më të arsyeshëm dhe më të ekuilibruar .
Rreth 29 kryetarë shtetesh dhe qeverish, ashtu si dhe delegatë nga 100 shtete mes të cilave edhe ShBA-ja dhe Koreja e Veriut u takuan dhe diskutuan, ndërkohe që të paktën 800 lloje gatimesh kishin përgatitur shefat e kuzhinës, gjatë këtyre ditëve, për të përfaqësuar njëkohësisht dhe traditën kulinare të Kinës por dhe të vendeve pjesëmarrëse.
Duke ju referuar shtypit kinez, vendet pjesëmarrëse në Forum gjatë dy ditëve ranë dakord të promovojnë bashkëpunimin e rrugëve, hekurudhave, transportit detar dhe lumor, aviacionin, transportin e gazit, prodhimin e energjisë elektrike dhe telekomunikacion. Gjithashtu ranë dakord të punojnë së bashku për një sistem financiar të qëndrueshëm për një afat të gjatë.
Vendet ranë dakord në përmirësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar përfshirë dhe nismën Brezi dhe Rruga dhe shumë strategji në zhvillim.
Presidenti i Kinës Xi Jinping, kishte lajmëruar në prag të organizmit të këtij forumi se vendi i tij kishte përcaktuar një shumë prej 124 miliardë dollarësh në një projekt ambicioz ekonomik për të ndërtuar Rrugën e Re të Mëndafshit. Disa nga aleatët më të besuar të Kinës, ishin prezentë në forum, duke përfshirë president rus Vladimir Putin, kryeministri kamboxhain Hun Sen etj.
Presidenti Xi u shpreh gjatë forumit, se "Një brez, një rrugë" është "projekti i shekullit" nga i cili të përfitojnë popujt në të gjithë botën.
Siç e cilësoi kreu i Kinës para të paktën 1500 të ftuarish, "Duke përshkuar mijëra milje e vite, Rruga e Lashtë e Mëndafshit mishëroi paqen dhe bashkëpunimin, hapjen dhe gjithëpërfshirjen, të mësuarin dhe përfitimin reciprok". (Flora Nikolla)