2017-05-15 20:43:57 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Përfundoi të hënën në Pekin Forumi "Një brez, një rrugë". Gjatë takimit me gazetarë të medieve botërore, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping u shpreh se në liderët pjesëmarrës në Forum përcollën mesazhe pozitive për nxitjen e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërtimin e bashkësisë njerëzore me fate të përbashkëta. Ai deklaroi se Kina do të organizojë edicionin e 2-të të këtij forumi, në vitin 2019.
Gjatë zhvillimit dyditor të forumit, mbi 1500 pjesëmarrës diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar me leverdi ndërsjellë, brenda kornizës së nismës së "Një brez, një rrugë". Pas tryezës së rrumbullakët të së hënës, mbi 30 liderë të vendeve dhe organizatave ndërkombëtare ranë dakord në një komunikatë të përbashkët për thellimin e partneritetit, nëpërmjet integrimit të zhvillimit dhe nxitjen e ndërlidhshmërisë.
Lidhur me këtë, kreu i shtetit i Kinës Xi Jinping i tha shtypit se në forum u arrit unanimitet mendimesh, u qartësua drejtimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, gjë që shërben si një sinjal pozitiv për nxitjen e bashkëpunimit për ndërtimin e një bashkësie njerëzore me fate të përbashkëta.
Sipas z. Xi, nisma "Një brez, një rrugë" është e hapur dhe gjithëpërfshirëse, në të cilën, të gjithë pjesëmarrësit janë kontribues dhe përfitues. Liderët e vendeve pjesëmarrëse duan të bashkëpunojnë në mënyrë të hapur, me leverdi reciproke, duke mos vendosur kufij ideologjikë, pa përfshirë agjendën politike dhe duke mos kufizuar përmasën e pjesëmarrjes.
Përsa u përket fushave me përparësi në të ardhmen, presidenti Xi u shpreh: "Ne jemi dakord që ndërlidhshmëria të ketë përparësi në zhvillim, duke synuar ndërtimin e rrjeteve të ndërlidhuara infrastrukturor tokësore, detare dhe ajrore. Ne do të shpejtojmë ndërtimin e korridorit ekonomik, do të nxitim bashkëpunimin e aftësisë prodhuese dhe të manifakturës mekanike, do të krijojmë parqe ekonomiko-tregtare. Ne do të zgjerojmë kanalet e financimit me risi dhe uljen e kostos përkatëse, duke krijuar një sistem të qëndrueshëm e të vazhdueshëm, që të mund të ketë nën kontroll risqet. Ne mbështesim bashkëpunimin në fushën arsimore, teknologjike, kulturore, mjekësore dhe shtimin e kontakteve turistike, të think tank-ëve dhe të medieve, duke marrë masa për të lehtësuar komunikimin njerëzor".