2017-05-15 19:37:02 | xinhua | Komenti juaj | Printoni |
Presidenti i Kinës Xi Jinping u bëri thirrje të hënën liderëve botërorë të nxitin përfitimin e ndërsjellë, forcimin e politikave të bashkëpunimit dhe thellimin e kooperimit praktik, në zbatimin e nismës "Një brez, një rrugë".
Ai e bëri deklaratën gjatë Tryezës së Rrumbullakët të Liderëve, në kuadër të Forumit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar "Një brez, një rrugë", në Pekin.
"Patat fluturojnë për një kohë të gjatë, pavarësisht erës dhe shiut, sepse ato fluturojnë në tufë", tha Xi. Ai u bëri thirrje vendeve pjesmarrëse në Forum të ndjekin parimet e nismës "Një brez, një rrugë" për zgjerimin e këshillimeve, kontributin e përbashkët dhe ndarjen e përfitimeve, me synim forcimin e politikave, të infrastrukturës, tregtisë, financës dhe lidhjes mes popujve.
Kreu i shtetit i Kinës tha se vendet duhet ti rezistojnë proteksionizmit për të kërkuar rezultate të favorshme në bashkëpunim, për forcimin e dialogut dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, me synim ruajtjen e stabilitetit rajonal.
Nevojiten veprime të vërteta për ta kthyer një plan në realitet, tha presidenti kinez, duke bërë thirrje për shpejtim të ndërtimit të hekurudhave, porteve, gazsjellësve dhe naftësjellësve, si dhe rrjetet e energjisë dhe forcimin e ndërlidhshmërisë.
Ai bëri thirrje gjithashtu për më shumë përpjekje për ndërtimin e korridoreve ekonomikë dhe të parqeve industrialë, me synim krijimin e vendeve të reja të punës dhe nxitjen e risive.
"Vendet duhet të përmirësojnë klimën e biznesit dhe mbrojtjen e politikave, për të çliruar fuqi pozitive dhe një ndërlidhshmëri më të mirë", theksoi presidenti kinez.
"Risitë financiare duhet të luajnë rolin e tyre në shmangien e ngërçit të financimit. Shkëmbimet njerëzore duhet të thellohen që të forcohet baza e bashkëpunimit, në mënyrë që njerëzit e thjeshtë të ndajnë përfitimet", tha presidenti Xi Jinping në fjalën e tij. (Eda Merepeza)