2017-05-12 19:08:25 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Ambasadori shqiptar në Kinë, z.Selim Belortaja dha të premten një intervistë ekskluzive për Seksionin e Gjuhës Shqipe të Radios së Jashtme të Kinës në Pekin. Ai ishte i pranishëm në nënshkrimin e një memoranduni bashkëpunimi mes CRI-së dhe ATSH-së.
Më poshtë intervista e plotë.
CRI Shqip: Zoti ambasador mirë se vini në Seksionin Shqip të Radios së Jashtme të Kinës !
Ju sapo e keni nisur detyrën tuaj. Cilën do të veçonit si një ndër pikat më të rëndësishme të misionit tuaj si ambasador i Shqipërisë në Pekin?
Ambasadori Selim Belortaja:
Për mua fillimi i detyrës si ambasador me një vizitë si kjo e sotmja në CRI dhe veçanërisht në CRI Shqip është një ngjarje që më bën shumë përshtypje, por dhe shumë emocionuese. Pasi i përkas atij brezi që ka dëgjuar që në vitin 1969 "Ju flet Pekini !" dhe është një zë i shoqëruar gjithmonë me vepra, ndryshe nga shumë zëra të tjerë radiofonikë. Me vepra që Shqipërisë i kanë shërbyer, me vepra që akoma vazhdojnë të shërbejnë për ekonominë dhe qytetarin shqiptar. Une mendoj se sfida ime e parë si ambasador është ta ruajmë dhe ta mbarështrojmë këtë klimë të mrekullueshme respekti reciprok dhe bashkëpunimi. Nuk është një sfidë e lehtë, sepse është shumë komplekse dhe duhet punuar ne një front të gjerë me të gjithë aktorët dhe faktorët përgjegjës për mbarëvajtjen e saj.
Së dyti, ka shumë elementë të rinj bashkëpunimi, veçanërisht në fushën ekonomike, të cilat duhen mësuar, mbajtur parasysh dhe zbatuar me korrektesë.Vetëm kështu do të mund të marrim përfitimet e dëshiruara.
Nëse flasim për prioritetet e mia, e para është ruajtja e këtij niveli të shkëlqyer marrëdhëniesh. E dyta është konkretizimi i kësaj fryme bashkëpunimi, me projekte konkrete. Këtë do të dëshiroja ta bëja jo vetëm thjesht në nivel qendror, mes dy qeverive, por në një nivel provincash, distriktesh, pra në nivele lokale në mënyrë që të marrim përfitime maksimale nga bashkëpunimi.
Po kështu do të doja të shtrihej bashkëpunimi edhe në nivelin e biznesit, nëpërmjet kontakteve "bussines to bussines". Kjo nuk është një sfidë e lehtë dhe kërkon shumë angazhim nga të gjithë faktorët.
CRI Shqip: Ka një mundësi të mirë konkretizimi të këtyre projekteve nëpërmjet Forumit Ndërkombëtar të Bashkëpunimit "Një brez, një rrugë", i cili zhvillohet në Pekin në 14-15 maj . Shqipëria si pjesë e nismës "Një brez, një rrugë" çfarë synon të përfitojë nga ky Forum ?
Ambasadori Selim Belortaja: Shqipëria e ka përshëndetur nismën "Një brez, një rrugë" që me propozimin e saj në vitin 2013, si një platformë që hap mundësi të reja bashkëpunimi për të gjitha vendet nga kalon Brezi dhe Rruga. Kulmin ky kontribut dhe mirëkuptim i Shqipërisë ndaj nismës e arrin këto ditë me nënshkrimin e marrëveshjes zyrtare midis dy qeverive, në të cilën qeveria shqiptare shpall zyrtarisht se bëhet pjesë e nismës "Një brez, një rrugë" dhe për rrjedhojë merr përsipër të gjitha sfidat dhe angazhimet e kësaj platforme.
Ky zyrtarizim sigurisht nuk do të thotë që jemi në stadin e projekteve konkrete, pasi duhet bërë shumë punë për ta shndërruar këtë vullnet tonin dhe angazhimin e shprehur në marrëveshje në projekte konkrete funksionale, të cilat sjellin përfitime për çdo qytetar të vendit tonë. Për këtë jemi këtu dhe duhet të punojmë të gjithë.
CRI Shqip: Ditët e fundit në Tiranë u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit ekonomik dhe teknik midis dy qeverive tona. Së fundmi, zëvendëskryeministri i Kinës Zhang Gaoli zhvilloi një vizitë zyrtare të nivelit të lartë në Shqipëri, me rezultat mbledhjen e Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar së shpejti në Pekin. A kanë filluar përgatitjet për këtë takim dhe me çfarë projektesh do të paraqitet Shqipëria ?
Ambasadori Selim Belortaja: Dy ngjarjet që përmendët nuk kanë të njejtën relevancë. Vizita e zëvëndeskryeministrit të parë të Këshillit të Shtetit të Kinës, zotit Gaoli në Shqipëri është një ngjarje vërtet e madhe, një shans epokal për të hapur një faqe të re bashkëpunimi, veçanërisht në fushën ekonomike, kryesisht në kuadër të "Një brez, një rrugë". Ndërsa Marrëveshje Teknike Ekonomike është një kontribut i palës kineze për të ndihmuar sektorë në nevojë të ekonomisë dhe kulturës shqiptare, gjë që Kina e ka bërë rregullisht vitet e fundit. Ky është një konkretizim i mirë i frymës së bashkëpunimit, nëpërmjet fondeve dhe projekteve konkrete, por mundësitë që hap nisma " Një brez, një rrugë" të konfirmuara nga vizita e zotit Gaoli, janë shumë më të mëdha dhe përbëjnë një platformë të tërë e cila duhet mbushur me projekte dhe angazhim nga të dy palët.
Dërgimi sipas angazhimit të kryeministrit shqiptar të një delegacioni ekonomik brenda dy muajsh në Kinë, është në proces e sipër. Në dijeninë time delegacioni po përgatitet në drejtimin e ministres së ekonomisë Milva Ekonomi dhe do të përbëhet nga zyrtarë dhe biznesmenë dhe mendojmë se do të sjellë propozime dhe projekte konkrete. Ndërsa komisioni ekonomik është gjithashtu një hap tjetër i rëndësishëm i konkretizimit të bashkëpunimit. Siç duket dhe nga listimi i këtyre tre-katër hapave jemi në një periudhë vrulli të të dy palëve për të ndërmarrë një konkretizim të vizionit të "Një brez, një rrugë" për rastin e vendit tonë.
CRI Shqip: Ky ka qenë një vit vrulli në marrëdhëniet dypalëshe, pasi kemi një kompani kineze që menaxhon Aeroportin Ndërkombëtar të Shqipërisë, një kompani tjetër kineze që menaxhon disa vendburime të naftës. Këto ndryshime strategjike si e kanë ndryshuar pozitën e Kinës në Shqipëri?
Ambasadori Selim Belortaja: Së pari, këto kanë sjellë një kontribut të madh në ndryshimin e mentalitetit të shqiptarëve, sa i përket intensifikimit të bashkëpunimit me Kinën. Sepse Shqipëria si një vend europian, si një vend që ka strategji integrimi europian në Shqipëri ka dhe dilema shpesh herë për fokusin e prioritizimit të lëvizjeve. Me këto dy investime të mëdha, që ju përmendët u vërtetua së pari që nisma "Një brez, një rrugë" dhe projektet kineze nuk ndryshojnë fokusin e prioritetev, nuk kanë për qëllim të imponojnë drejtime të caktuara në prioritetet e vendit. Ato veçse hapin një dritare më shumë, një fushë më të gjerë bashkëpunimi, e cila i shërben të gjithëve dhe përpiqen të harmonizojnë strategjitë kombëtare me strategjitë rajonale, prioritetet e vendeve të veçanta me vetë strategjinë gjigante "Një brez, një rrugë".
CRI Shqip: Faleminderit për intervistën tuaj të parë në CRI Shqip.
Intervistoi Leftion Peristeri