| 2016-06-20 08:37:25 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Shqipëria fitoi ndaj Rumanisë në ndeshjen e zhvilluar të dielën në mbrëmje në Lion të Francës. Ekipi shqiptar mundi me rezultatin 1-0 atë rumun, me golin e shënuar në minutën e 44-të nga Armando Sadiku.
Rezultati nuk ndryshoi edhe pas 5 minutave shtesë, duke i dhënë kuqezinjve një fitore historike në "Euro 2016". Trajneri De Biasi me entuziasëm për 3 pikët e fituara nga Shqipëria, e quajti këtë një fitore të merituar. Ndërsa kryeministri Edi Rama përmes një telefonate, uroi të gjithë lojtarët e kombëtares për fitoren ndaj Rumanisë, duke u premtuar pasaporta diplomatike të gjithë ekipit.

Federata Europiane e Futbollit UEFA në faqen e saj në Facebook ka uruar Shqipërinë dhe shqiptarët për fitoren e parë në këtë garë dhe marrjen e tre pikëve. Mjaft e hareshme ka qenë atmosfera kuqezi në stadiumin e Lionit, por edhe në Tiranë e qytete të tjera, ku tifozët e kanë shndërruar në festë këtë fitore të kombëtares.

Të gjitha mediat ndërkombëtare në kohë reale kanë raportuar mbi ndeshjen e futbollit mes Rumanisë e Shqipërisë, duke e cilësuar si të merituar fitoren e ekipit shqiptar.

