2019-11-20 10:09:01 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Sivjet është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë. Gjatë 70 vjetëve, bashkëpunimi i dy vendeve në fushën e arsimit ka arritur rezultate të pasura. Specialistët e përgatitur po japin kontribut të madh për zhvillimin e marrëdhënieve midis Kinës e Shqipërisë.
Në periudhën kur sapo u vendosën marrëdhëniet diplomatike mes të dy vendeve, liderët e Kinës dhe të Shqipërisë i kushtuan rëndësi të madhe bashkëpunimit në fushën e arsimit. Në vitin 1954, pala shqiptare propozoi shkëmbimin e ndërsjellë të studentëve. Kështu, grupi i parë i përbërë nga gjashtë studentë kinezë shkuan në Shqipëri për të studiuar, ndër të cilët edhe ambasadori i dhjetë i Kinës në Shqipëri, z. Fan Chengzuo. Ambasadori kujton:
"Ne të gjashtë së pari filluam të mësonim gjuhën shqipe si bazë e studimeve, pastaj mësuam të gjitha përmbajtjet lidhur me Shqipërinë, si historinë, gjeografinë, letërsinë etj. Mësuam gjithçka që ka lidhje me Shqipërinë."
Pas mbarimit të studimeve, z. Fan Chengzuo filloi punë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kinës. Ai shërbeu shumë herë si përkthyes për liderët kinezë. Lidhur me përvojën e tij të paharrueshme, atë të përkthimit për herë të parë për kryetarin Mao, 88-vjeçari Fan thotë:
"Kur përktheva për herë të parë për kryetarin Mao, u ula pranë tij. Pas disa fjalive, kryetari Mao më shikoi dhe më pyeti se çfarë gjuhe po flisja. I thashë: 'Shoku kryetar, është gjuha shqipe'. Kryetari Mao u çudit dhe tha: "Oh, edhe vendi ynë paska përkthyes të shqipes? Po ku e ke mësuar?' Tregova nga kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë Rita Marko, që ishte ulur përballë kryetarit Mao, dhe u përgjigja se e kisha mësuar shqipen në vendin e tyre. Kryetari Mao i tha Rita Markos me seriozitet: "Shumë faleminderit që na keni përgatitur një talent të tillë."
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kinë Hajdar Muneka ka studiuar në Kinë. Ai përpiqet gjithmonë të zhvillojë marrëdhëniet miqësore midis Kinës e Shqipërisë dhe të nxitë bashkëpunimin e dy vendeve në kuadër të mekanizmit të "Bashkëpunimit 17+1" dhe nismës "Një brez, një rrugë". Ai ka kujtime të bukura nga periudha e studimit në Kinë:
"E konsideroj veten me fat që kam studiuar katër vjet aty. Periudha e studimeve të mia universitare ka qenë e vështirë si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kinën. Madje mbaj mend se, kur u caktuam për të shkuar në Kinë, udhëheqësit shqiptarë të asaj kohe na takuan dhe na thanë që atje të kishim kujdes të mos kërkonim shumë gjëra të tepërta, se edhe Kina ishte vend i varfër. Në fakt, kur erdhëm në Kinë e deri kur u larguam pas 4 vjetësh, gjetëm ngrohtësi, miqësi. Profesorët tanë u munduan të na i plotësojnë gjithçka duke na mbajtur afër, njëlloj si fëmijët e tyre. Nuk kemi pasur vështirësi, por mund të them se kanë qenë ndër vitet më të mira të jetës sime."
Në vitet '60 - '70 të shekullit të kaluar, jeta studentore, qëllimet e studimit dhe shpresat e studentëve për të ardhmen kishin karakteristikat e kohës.
Ish-drejtorja e Pritjes së Mysafirëve Shtetërorë në Zyrën e Punëve të Jashtme të Shangait Hua Daming i filloi studimet në Shqipëri në vitin 1964. Ajo thotë se jeta e saj studentore ishte e ngarkuar dhe e thjeshtë dhe se studentët kinezë në Shqipëri në atë kohë përpiqeshin të kapnin të gjitha rastet të mësonin gjuhën shqipe:
"Në fillim një student kinez rrinte me dy ose tre studentë shqiptarë në një dhomë konvikti. Dhoma ime ishte e madhe, prandaj jetoja me tre vajza shqiptare. Marrëdhëniet tona ishin shumë të mira. Gjithë ditën flisja me to. Dilnim edhe jashtë për të biseduar me fëmijët a për të blerë diçka, ose për të bërë shëtitje."
Profesori i degës së gjuhës greke në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Shangait Zhu Shengpeng filloi në vitin 1965 në Shqipëri studimet për gjuhën greke. Qëllimi i tij i studimit ishte i thjeshtë:
"Të mësoja mirë për të punuar mirë për Partinë dhe atdheun. Ishte shumë e thjeshtë."
Nga ky qëllim i thjeshtë, Zhu Shengpeng-u u bë pjesë e grupit të parë të pedagogëve të gjuhës greke në Kinë. Ai, me dijet e tij të fituara në Universitetin e Tiranës, krijoi degën e gjuhës greke në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Shangait dhe punoi mbarë jetën aty.
Gjatë 70 vjetëve, shkëmbimet në fushën e arsimit krijuan mundësi për zhvillimin e të rinjve të dy vendeve. Tani qëllimi i studimeve, jeta studentore dhe shpresat për të ardhmen kanë ndryshuar shumë.
Saelma Haka sapo është diplomuar në Universitetin Qendror të Financave dhe Ekonomisë të Kinës. Para katër vjetëve, ajo erdhi në Kinë për të studiuar në degën e ekonomisë. Për të, studimet jo vetëm mund të realizojnë ëndrrën e saj për punën e ardshme, por edhe mund të ngrenë aftësitë e përgjithshme të saj:
"Babi e ka dashur shumë fushën e ekonomisë dhe ka punuar në bankë. Fatkeqësisht, ai sot nuk jeton më dhe nuk e përfundoi dot këtë rrugë, dhe prandaj unë zgjodha të studioj ekonomi. Zgjodha Kinën për të vetmen arsye se mendoj që Kina është një vend shumë i zhvilluar ekonomikisht dhe këtu mund të gjesh shumë mundësi të mira për punë për sa i përket fushës së ekonomisë. Kam marrë pjesë në aktivitete, si muzika, kërcimi, modelimi etj., sepse një ëndërr tjetër imja është edhe bota e artit. Më pëlqen shumë të këndoj dhe të kërcej. E kam bërë sepse e kam qejf, e kam pasion dhe dua që ta tregoj këtë talent, por edhe kam dashur të bëj të famshëm shqiptarët në sytë e kinezëve."
Studentja kineze Pan Shuhao fitoi bursë qeveritare dhe studioi një vit në Tiranë. Gjatë periudhës së studimit në Shqipëri, ajo mori pjesë në një grup vendor të kërcimit modern. Ajo bashkë me partnerët e saj të këtij grupi morën pjesë në një konkurs, duke fituar vendin e dytë:
"Pjesëmarrja në konkurs më krijoi mundësinë të komunikoj me shqiptarët me të cilët kisha interesa të përbashkët, çka ishte një rast i mirë. Njëkohësisht, në këtë proces, munda të merrja njohuri për kërcimin, gjë që ishte interesante. Shqiptarët nuk dinë shumë për kinezët. Ata më bënin shpesh pyetje mbi Kinën. Kështu, arrita të promovoj edhe kulturën kineze."
Lidhur me të ardhmen, studentët e tanishëm kanë më shumë zgjedhje. Saelma Haka tha: "Kam mësuar të jem më e pavarur, më e fortë dhe më e qetë. Pas diplomimit, kam shumë dëshirë të hap një biznes dhe të vazhdoj ëndrrat e mia për sa i përket botës së artit."
Kurse Pan Shuhao tha: "Në të ardhmen do të vazhdoj studimet pasuniversitare ose të gjej punë. Nëse vazhdoj studimet, do të zgjedh të studioj jashtë Kinës."
Gjatë 70 vjetëve, nga bashkëpunimi arsimor ndërmjet të dy vendeve janë përgatitur shumë specialistë. Ata po i japin një energji më të madhe zhvillimit të marrëdhënieve midis Kinës e Shqipërisë.
Sipas statistikave, që prej krijimit në vitin 1961, dega e gjuhës shqipe e Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit ka përgatitur mbi 100 studentë. Në vitin 2000 dhe vitin 2014, në këtë degë nisën përkatësisht edhe programet e masterit dhe të doktoraturës. Me zhvillimin e marrëdhënieve midis Kinës e Shqipërisë, në vitin 2018 edhe Universiteti i Studimeve Ndërkombëtare i Pekinit hapi degën e gjuhës shqipe dhe u bë universiteti i dytë në Kinë ku mësohet gjuha shqipe.
Njëkohësisht, me forcimin e ndikimit ndërkombëtar të Kinës dhe zhvillimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve kino- shqiptare, edhe Instituti "Konfuci" në Tiranë ka pritur një numër të madh shqiptarësh që duan të mësojnë gjuhën kineze.
Drejtori i palës shqiptare i Institutit "Konfuci" në Tiranë Erion Malaj u shpreh se hapja e Institutit "Konfuci" ka nxitur pasionin e shqiptarëve - veçanërisht të të rinjve - për mësimin e gjuhës kineze. Numri i nxënësve të regjistruar në vitin 2018 u rrit 75 % në krahasim me vitin 2017. Z. Malaj mendon se rezultatet e arritura mbështeten nga përpjekjet e përbashkëta të të dy palëve.
"Instituti 'Konfuci' është i vetmi institucion arsimor dhe kulturor, që shërben për promovimin e gjuhës dhe kulturës kineze në Shqipëri. Mbështetja dhe ndihma e palës kineze është themelore për mbarëvajtjen e Institutit 'Konfuci'. Pikërisht tani ne jemi fokusuar në një zgjerim të mundshëm të Institutit në disa qytete të tjera. Paraprakisht po ju vë në dijeni që Vlora do të jetë risia e radhës për sa u përket leksioneve për gjuhën e kulturën kineze, ku një pedagog do të qëndrojë aty. Kjo do të përmbushë kërkesën e madhe që kemi pasur nga qytetarët vlonjatë për të studiuar gjuhën dhe kulturën kineze."
Në tetorin e vitit 2019, zv.ministri i Arsimit i Shqipërisë Redi Shtino kryesoi një delegacion që vizitoi Kinën. Ai u shpreh se vendosja e numrit rekord të nxënësve të regjistruar në Institutin "Konfuci" në Tiranë është rezultat i arritur nga thellimi i bashkëpunimit arsimor mes të vendeve. Bashkëpunimi midis Kinës e Shqipërisë në fushën e arsimit do të forcohet më tej:
"Ky interes i shtuar i dedikohet përthellimit dhe rigjallërimit të marrëdhënieve nderqeveritare e atyre ndërakademike, por mbi të gjitha edhe rolit që Kina po merr gjithnjë e më shumë në hapësirën globale. Në këtë drejtim ndihet angazhimi i theksuar i të dy qeverive tona, që kanë rritur bashkëpunimin në të gjitha fushat, e ku spikasin shkembimet në fushën arsimore dhe atë të rinisë."
Gjatë 70 vjetëve, thellimi i bashkëpunimit midis Kinës e Shqipërisë në fushën e arsimit ofron garancinë e talenteve dhe mbështetjen intelektuale për të trashëguar miqësinë tradicionale kino-shqiptare. Në pikëfillimin e ri, zhvillimi i lidhjeve arsimore mes të dy vendeve do të thellohet e do të nxitet më tej, për të krijuar bazën e fortë për zhvillimin e miqësisë tradicionale mes të dy popujve dhe për bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë. (Çang Çuo)