| 2017-02-21 16:28:08 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
A është industria e veshjeve rruga më në modë për t'u bërë i pasur? Themeluesi i "Zara"-s Amancio Ortega është njeriu më i pasur në Europë dhe i dyti në botë, madje për disa kohë vitin e kaluar pasuria e tij e kaloi edhe atë të Bill Gates-it. Ndërkohë Yanai Tadashi, themeluesi dhe presidenti i "Fast Retailing", një nga degët e së cilës është edhe "Uniqlo", kompania e njohur e dizenjimit, prodhimit dhe tregtimit të veshjeve, është sipërmarrësi më i pasur në Japoni.
Një tjetër miliarder i industrisë së veshjeve është pa dyshim edhe sipërmarrësi kinez Ma Jianrong, drejtori ekzekutiv dhe kryetari i bordit i "Shenzhou International". Kompania e drejtuar prej tij merret me prodhimin e veshjeve për marka të huaja të njohura, si "Uniqlo" që sapo përmendëm, por dhe "Nike" e "Adidas". Suksesi i "Shenzhou International" e ka ngjitur gradualisht Ma Jianrong-un në radhët e njerëzve më të pasur në Kinë.
Ma Jianrong-u ka lindur në vitin 1965 në Shaoxing të provincës lindore kineze Zhejiang. I ati ishte një punëtor tekstilesh që ishte zhvendosur nga Shangai në Ningbo, ku u bë zëvendësdrejtor i një fabrike të re tekstilesh që kishte ngritur bashkia e Ningbo-s në fund të viteve '80. Fabrika quhej "Shenzhou" dhe do të ishte pararendësja e grupit të sotëm "Shenzhou International".
Ma Jianrong nisi punë që i vogël në këtë fabrikë, që kur ishte vetëm 13 vjeç, fillimisht si nxënës pa pagesë, për të mësuar mjeshtërinë. Në vitin 1990 ai nisi punë në repartin e endjes e të thurjes të fabrikës "Shenzhou". Në atë kohë, industria e tekstilit në provincën Zhejiang ishte në rënie dhe përjashtim prej kësaj nuk bënte as fabrika "Shenzhou". Teksa financimi nga shteti vazhdonte gjithashtu të ishte në ulje, familja Ma mori gradualisht kontrollin e fabrikës, e cila prej disa vitesh dilte me humbje, duke u përqendruar në bashkëpunimin me markat japoneze të veshjeve të në mes të tregut.
Ma Jianrong-u e mori drejtimin e asaj që ishte tashmë kompania e veshjeve "Shenzhou" në fund të viteve '90 të shekullit të kaluar, duke vendosur të përqendrohej në prodhimin në masë. Ndërkohë që firmat e mëdha të prodhimit të tekstilit, si "Weiqiao", morën vendimin për t'u diversifikuar në sektorë të tjerë, të tillë si pasuritë e patundshme, "Shenzhou International" vazhdoi prodhimin e ashtuquajtur të "modës së shpejtë" për markat e huaja. "Modë e shpejtë" është një term që përdoret në industrinë e veshjeve për të shënuar kalimin e dizajneve të veshjeve nga pasarelat në modë masive. Koleksionet e modës së shpejtë bazohen te prirjet më të fundit të modës që paraqiten në Javën e Modës në pranverën dhe vjeshtën e çdo viti, duke u prodhuar shpejt dhe me kosto jo të lartë falë risive në menaxhimin e zinxhirit të furnizimit. "Thonë se firmat e klasit të parë bëjnë standardet, firmat e dorës së dytë markat dhe firmat e klasit të tretë produktet", thotë Ma Jianrong-u. "Ndërsa ne këmbëngulim në bërjen vetëm të një gjëje, por këmbëngulim ta bëjmë sa më mirë atë."
Kjo strategji bëri që "Shenzhou International" të fitojë besimin e markave të huaja të njohura, si "Nike", "Adidas", "Puma", "Uniqlo" etj., që ia kaluan asaj procesin e prodhimit të produkteve të tyre. Për të përballuar porositë, "Shenzhou" investoi afro 300 milionë dollarë, për ndërtimin e një fabrike të re jashtë Kinës, në Vietnam.
"Shenzhou International" u bë një kompani publike në vitin 2005, e regjistruar në Bursën e Hong-Kongut. Që atëherë ajo është bërë prodhuesja më e madhe e produkteve të trikotazhit në botë dhe një ndër kompanitë më të mëdha eksportuese të veshjeve në Kinë. Vëllimi i kontratave të grupit "Shenzhou International" është shumë i madh. Vlerësohet se "Shenzhou International" prodhon 12 % të veshjeve të "Nike" e "Adidas", 14% të "Uniqlo" dhe 30 % të "Puma". Një raport i "Citibank" i publikuar në shtatorin e vitit të kaluar, vlerëson se këto shifra do të rriten nga tre deri në pesë pikë përqindjeje deri në vitin 2020.
Në të vërtetë, suksesi i "Shenzhou International" vlerësohet se vjen edhe nga përhapja e produkteve sportive, veçanërisht e këpucëve, dhe e faktit që pjesët e sipërme të tyre nuk bëhen më me lëkurë sintetike, por me tekstil. "Shenzhou" ka qenë ndër përfitueset më të mëdha të këtij ndryshimi.
Që prej ofertës publike fillestare, vlera e tregut e "Shenzhou"-t është shtuar më shumë se 15 herë. Pasuria e Ma Jianrong-ut ndërkohë tashmë është 4.1 miliardë dollarë, duke u renditur në vendin e 39-të sipas "Listës së njerëzve më të pasur në Kinë" të "Forbes".
