James Chu, nga shitës i turpshëm në magnat i tregtimit të ekraneve të kompjuterave

2016-12-06 14:40:43 CRI Komenti juaj Printoni

Nga gjiri i miliona aziatikëve që kanë shkuar në ShBA përgjatë një shekulli, kanë dalë me mijëra milionerë, shumica e tyre me origjinë kineze. Por mund të thuhet se askush prej tyre nuk ka krijuar një kompani më të madhe e më të suksesshme, në më pak kohë e me më pak kapital fillestar, sesa James Chu. Kur shkoi në Amerikë ai ishte një djalosh i turpshëm e që nuk fliste mirë anglisht, por nga shitës u kthye në themeluesin e një prej kompanive më të mëdha të tregtimit të ekraneve të kompjuterave.

James Chu ka lindur në vitin 1957 në Tajvan, në një familje me origjinë nga pjesa kontinentale e Kinës. Ai ishte i pesti ndër gjashtë vëllezër e motra. "Nuk ishim familje e pasur, pa dyshim," shprehet ai. "Nëna ime, që ishte shtëpiake, nuk mund të lexonte dot as edhe një artikull gazete."

James ishte një fëmijë i qetë dhe i turpshëm, por në adoleshencë ai vendosi të shkojë në Tajpei, pa pëlqimin e prindërve. "Jeta ime ishte shumë e zakonshme, shumë e mërzitshme. U thashë prindërve se duhej të shkoja në Tajpei, por ata nuk ishin dakord. Por isha i vendosur. 'Duhet të shkëputem nga ky mjedis,' u thashë. 'Ky mjedis do të më vrasë. Nuk kam të ardhme këtu.' Dhe kështu shkova në Tajpei. Por përsëri dukesha sikur kisha humbur busullën. Nëse do të më pyeste njeri cilat ishin qëllimet e mia, nuk do të dija si t'i përgjigjesha," tregon James Chu.

James kishte një motër të martuar në Tajpei, e cila e ndihmoi financiarisht 16-vjeçarin e atëhershëm të mbaronte shkollën e mesme. Më pas ai u përpoq të niste studimet në ndonjë universitet, por dështoi. Dhe kështu ai nisi të lexojë nëpër gazeta njoftimet e punës. Të vetmet punë për të rinjtë me nivelin e tij arsimor ishin shitjet derë më derë. Djaloshi nisi punë në një kompani që merrej me shitjen e mimeografëve, paraardhëset e makinave fotokopjuese.

"Ata kishin nevojë për njerëz që të shkonin derë më derë për të shitur. Kjo nuk ishte punë për një njeri si unë, i turpshëm dhe jo i aftë për t'u folur të panjohurve. Por ishte e vetmja punë që mund të gjeja."

Por ai shton se është një njeri i aftë për ta ndryshuar gjithmonë vetveten. "Bleva një libër që quhej 'Shitësi'. Mësova shumë prej tij. P. sh., mbase duhet të bësh 60 telefonata për të shitur një makinë. Dukej se nuk kisha të ardhme nëse nuk ndryshoja. Dhe kështu vendosa të ndryshoj," shprehet James.

Dhe kështu ai nisi të ishte më i hapur, të ishte gjithmonë i buzëqeshur, duke mos ngurruar të fliste me të gjithë, pavarësisht turpit që kishte. E po ashtu kaloi vështirësinë më të madhe, atë të trokitjes derë më derë. "E detyroja veten të trokisja pa menduar për pasojat," thotë ai. "Në më të shumtën e rasteve më përzinin, po nuk u ligështova."

Dhe kështu gjatë muajit të parë James Chu shiti tre makina. Të gjithë shitësite e tjerë nuk arritën dot të shitnin as edhe një.

"Ishte hera e parë që kuptova se mund të isha një shitës i mirë," thotë James. Po ai shton se trysnia nisi të ishte më e madhe, sepse tani prej tij pritej që të ishte, siç thotë, "një supershitës".

Për më tepër, gjatë kohës që punonte, James Chu nisi të studionte edhe për provimet e pranimit në universitet. Ai studionte çdo ditë deri në mëngjes. Falë këmbënguljes, më në fund ai arriti të regjistrohej në një universitet të njohur. Për të paguar shpenzimet James nisi të shiste fjalorë anglisht-kinezisht. Pas suksesit me to, ai nisi të shiste edhe metoda të anglishtes, pastaj enciklopedi, e më pas edhe kompjutera.

Kur ishte në vitin e tretë të universitetit, James Chu ndjeu se duhej të vendoste për të zgjedhur mes punës dhe shkollimit. Ai kuptoi se ishte më i mirë si tregtar sesa si student, kështu që në fund të vitit 1983 e la universitetin, për t'iu kushtuar i tëri punës.

Fillimisht James punoi si shitës në disa kompani, derisa dha një intervistë për një kompani kompjuterash të quajtur BTC. Disa ditë kaluan dhe ai ende nuk kishte marrë përgjigje. Më në fund ai shkoi në kompani dhe priti deri në orën 7 të mbrëmjes kur pronari i saj u kthye.

"I thashë: Duhet të flas me ty," kujton Chu me buzëqeshjen e vet të zakonshme. "Ai u përgjigj: 'Mirë'. I thashë? 'Nuk ka rëndësi më jep një përgjigje apo jo, unë do të të ndjek. Nuk ka nevojë të më përgjigjesh. Unë do të filloj punë nesër.' Ai tha, 'Mirë'."

Dhe kështu James Chu nisi karrierën në industrinë e kompjuterave. BTC-ja ishte një kompani e re dhe e vogël, që nuk po ecte mirë. James ishte punonjësi i 12-të i saj dhe i vetmi shitës. "Kompania në fillim ishte shumë e varfër. Kishte shumë borxhe dhe ishte në një gjendje të vështirë. Unë doja që ajo të forcohej, që kështu të mësoja për të gjitha anët e biznesit. Kjo kompani më dha shumë përvojë, më tregoi pamjen e asaj çka mund të ndodhë. Kurrë nuk do të doja ta kisha biznesin tim në atë gjendje," thotë James Chu.

BTC prodhonte fillimisht tastiera kompjuterash të lira, por jocilësore. James Chu hodhi idenë që kompania të kalonte në prodhimin e tastierave më cilësore e me çmim të arsyeshëm për kompanitë prodhuese tajvaneze që ekportonin në Europë dhe ShBA. Ideja e tij siguroi kaq shumë porosi, saqë gjatë tre vjetëve të ardhshëm uzina e BTC-së mund të plotësonte vetëm gjysmat e tyre. Dërgesat e kompanisë nisën të rriten me 30 % në muaj. Kur James e la BTC-në në vitin 1987, ajo kishte 200 punëtorë. "Kur u largova nga kompania, ajo ishte ndër pesë prodhueset më të mëdha të tastierave të kompjuterave në botë," vëren ai. "Kështu, ky cikël i kalimit nga dështimi në sukses më ndihmoi shumë. E provova tashmë të gjithë ciklin."

Në verën e vitit 1985 James Chu bëri udhëtimin e parë jashtë, pikërisht në ShBA, bashkë me pronarin e kompanisë. Asokohe ata ishin ende të varfër, kështu që ushqeheshin me konserva mishi që blinin në supermarket dhe flinin në hotele të lira. Megjithatë, udhëtimi ishte një sukses dhe ata siguruan një numër porosish të leverdishme. James Chu udhëtoi edhe disa herë të tjera në ShBA, derisa, me idenë e tij, në vitin 1986 BTC-ja hapi një degë në ShBA, që drejtohej nga ai.

Por marrëdhëniet mes pronarit të kompanisë dhe James-it filluan të mos ishin si më parë, prandaj një vit më pas James Chu vendosi të hapë kompaninë e vet në Los-Anxheles, të cilën e quajti "Keypoint". James fillimisht mendonte të shiste me kredi tastierat e BTC-së në Kaliforninë e Jugut, duke premtuar so do t'ia jepte 40 % të "Keypoint"-it BTC-së. Pronari i BTC-së pranoi. Në muajin e parë shitjet e "Keypoint"-it arritën në 1 milion dollarë, duke ua kaluar atyre të BTC-së. Pas tre muajsh, pronari i BTC-së i tha James Chu-së se nuk do t'i dërgonte më mall.

"Befas e humba produktin tim të vetëm," kujton ai. "E kisha nisur kompaninë tashmë. Kisha punësuar dikë dhe kisha marrë një ndërtesë me qira".

I dëshpëruar, James Chu telefonoi në "Keytronics", kompania që kishte qenë konkurrentja e tij. Në "Keytronics" i njihnin aftësitë e tij, kështu nuk e lanë t'u shpëtonte kjo mundësi për të bashkëpunuar me të. Dhe nuk u zhgënjyen.

Suksesi i dha mundësinë "Keypoint"-it që në vitin 1989 të kalonte në tregun e ekraneve të kompjuterave. Në atë kohë "Seiko" po mundohej të shiste ekranet e veta cilësore në ShBA. Në një lëvizje të rrezikshme, James Chu vendosi të blejë ekrane të prodhuara nga "Seiko" e t'i tregtonte me një emër marke të re. Dhe kështu lindi marka "ViewSonic".

Përsëri veprimi i James Chu-së ishte i mirëmenduar. Ai e ndryshoi emrin e kompanisë në "ViewSonic", që është sot ndër prodhueset më të mëdha të ekraneve të kompjuterave në botë. E sigurisht James Chu është tashmë një njeri i pasur. Por ai vë në dukje se nuk është pasuria ajo që e nxit.

"Unë e di si të bëj para, po nuk di si t'i shpenzoj ato," thotë duke qeshur James Chu. "Dhe vërtet nuk kam nevojë për kaq shumë para. Ku t'i shpenzoj? Për mua, fitimi nuk është stimuli kryesor në biznes."

Mrekulli
Lajmet Kryesore