Ura më e madhe në botë Hong Kong-Zhuhai-Makao

2016-11-07 15:04:08 xinhua Komenti juaj Printoni

Në shtratin e Lumit Perlë të Kinës po ndërtohet ura më e madhe detare në botë. Me një gjatësi prej 55 km ajo do të lidhë 2 Rajonet e Posaçme Administrative të Kinës, Hong Kong dhe Makao me Zhuhain. Ura detare konsiderohet si një nga 7 mrekullitë e botës moderne.

Ndërtimi i urës nisi në dhjetor të vitit 2009 dhe pritet që pasagjerët që do ta përdorin atë do të mund të përshkojnë 2 rajonet e posaçme administrative dhe pjesën kontinentale të Kinës në 30 minuta, nga 3 orë që është aktualisht rruga tokësore dhe 2 orë rruga detare.

Për ndërtimin e urës detare është parashikuar të përdoren mbi 400,000 ton çelik, të barabarta me 10 stadiume "Foleja e Zogut" e Pekinit apo 60 Kulla Eiffel.

Ura detare Hong Kong-Zhuhai-Macao është një ndër projektet më ambicioze të ndërtimit në Kinë dhe njihet me emrin e koduar "Qomolangma," apo Everest, maja më e lartë e botës. Projekti konsiston në një sërë urash të ndërlidhura mes tyre si dhe tunelesh që do të kalojnë përmes kanalit Lingdingyang.

Përgjatë shtrirjes së urës do të ketë dhe ishuj artificialë e tunele. Kostoja e ndërtimit të urës Hong Kong-Zhuhai-Makao llogaritet në 70 miliard RMB (11.24 miliard USD). Mësohet se me ndërtimin e kësaj ure të ardhurat në GDP-në e Kinës do të shënojnë një rritje prej 60-100miliard RMB(9.63-16.05miliard USD), duke ndikuar kryesisht në zhvillimin ekonomik të qyteteve në bregun perëndimor të Lumit Perlë.

Për të mos penguar trafikun e anijeve me kapacitet 300,000 ton lartësia e ngritjes së urës nga sipërfaqja ujore do të jetë 80 metra, e barazvlefshme me lartësinë e një ndërtese 26 katëshe.

Gjithashtu për të mos interferuar me aeroportet e Hong Kongut, Makaos dhe Zhuhait nën ujë do të ndërtohet një tunel me gjatësi 6.7 km. Duke marrë parasysh klimën dhe ekosistemin e zones, stafi inxhinierik ka vendosur ndërtimin e ishujve artificialë dhe tuneleve nënujorë për të ulut nivelin e ndotjes nga inertet. Për këtë stafi kinez ka shkëmbyer përvojë dhe me stafin inxhinierik të ndërtimit të Urës Resundsbron,më e madhja në Europë që lidh Suedinë me Danimarkën.

Impaktin më të madh ndërtimi i urës do ta ketë në fushën ekonomike dhe të komunikacionit. Vënia në përdorim e urës do të ulë kohën e transportit të mallrave nga Hong Kongu në Makao për 30 minuta, si dhe do të sjellë rritje të investimeve nga Hong Kongu.

Prof. Vincent Tse,një professor u Universitetit të Makaos, njëherësh biznesmen në Hong Kong thotë se zhvillimi i shpejtë i qytetit Shenzhen në pjesën kontinentale të Kinës është kryer për shkak të afërsisë gjeografike me Rajonin e Posaçëm Administrativ të Hong Kongut. Ai shton se kjo urë do të nxitë zhvillimin ekonomik të Zhuhait dhe qyteteve të tjera në perëndim të tij.

Në 20 vitet e fundit provinca jugore Guangdong ka shënuar një zhvillim të dukshëm ekonomik që vjen nga zhvillimi i pjesës lindore të saj, buzë Lumit Perlë, kryesisht të qytetit Shenzhen. Investuesit hongkongas për shkak të afërsisë me Shenzhenin u përqëndruan fillimisht në këtë zone të Kinës kontinentale.

Ura e re do të bëjë të mundur që bizneset hongkongase të arrijnë për 30 minuta në Zhuhai, duke rritur rolin e tij në zhvillimin ekonomik të pjesës perëndimore të rajonit. Zhuhai ka një dendësi të vogël të popullsisë dhe një mjedis të mirë natyror, ndaj resorted e këtushme turistike presin një zhvillim më të madh. Përsa i përket turizmit, aktualisht vizitorët më të shumtë të rajoneve të posaçme Hong Kong dhe Makao janë kryesisht nga pjesa kontinentale e Kinës.

Sipas Prof. Tse, shumë biznese hongkongase besojnë se ura do të sjellë mundësi për rritjen e turizmit ditor midis Zhuhait dhe Hong-Kongut.

Prof. Kuan Fung nga Departamenti i ekonomisë i Universitetit të Makaos është i mendimit se nëse qeveria zbaton politika të duhura, vizitorë joaziatikë do të shtohen në Makao, ndonëse sipas tij anijet apo kompanitë ajrore të Makaos mund të kenë humbje pas ndërtimit të urës.

Të gjithë studjuesit janë të mendimit se ndërtimi i urës do të sjellë përfitime ekonomike dhe ndryshime në ekosistemin përreth Hong Kongut, Zhuhait dhe Makaos.

Ndërtimi i urës Hong Kong- Zhuhai-Makao përveç përfitimeve konkrete ekonomike për Kinën do të jetë dhe një ndër veprat më të arrira të infrastrukturës botërore dhe sigurisht një nga arritjet më të mëdha të Kinës në ndërtimin e urave. (Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore