Fu Liquan-i, nga shitja e sendeve të shtëpisë te miliardat

2016-10-04 10:53:58 CRI Komenti juaj Printoni

Fu Liquan-i, bashkëthemeluesi dhe presidenti i kompanisë teknologjike "Dahua" të Zhejiang-ut, që e ushtron veprimtarinë e vet të biznesit në sektorin e pasjisjeve të mbikëqyrjes e të sigurisë, e formoi kompaninë së bashku me të shoqen, duke shitur edhe sende të familjes, ndërsa tani çifti është pjesë e atij që quhet "klub i miliarderëve" të Kinës.

Fu Liquan-i ka lindur në vitin 1967 në provincën Zhejiang të Kinës Lindore. Ai ndoqi studimet për inxhinieri elektronike në Universitetin Shuren të Zhejiang-ut, një ndër universitetet më të vjetra dhe më prestigjioze të Kinës. Pas diplomimit në vitin 1989, Fu filloi të punojë në një fabrikë të vogël që merrej me prodhimin e pajisjeve elektrike. Por, pas katër vjetësh pune aty, në vitin 1993, tashmë i martuar dhe me objektivin për të siguruar një jetë më të mirë për familjen e vet të re, Fu Liquan-i, asokohe 26-vjeçar, bashkë me të shoqen, Chen Ailing, vendosën të nisnin sipërmarrjen e tyre. Ata hapën në fillim një fabrikë të vogël prodhimi pajisjesh elektrike.

Por Fu Liquan-i ishte i pakënaqur me drejtimin që po merrte fabrika dhe me fitimet që po nxirrte, prandaj nisi të hartojë plane për të ngritur një kompani shumë më efikase, që do të prodhonte e shiste pajisje cilësore, duke u fokusuar në pajisjet e sigurisë e të mbikëqyrjes dhe duke vendosur një standard për kompanitë e tjera të këtij sektori. Por vetëm ëndrrat dhe planet nuk mjaftojnë. Fu Liquan-i nuk i kishte mjetet financiare për të realizuar atë që dëshironte. Për këtë arsye, ai dhe e shoqja shitën pjesën më të madhe të pasurisë së tyre dhe me paratë e grumbulluara, dhe po ashtu me ndihmën edhe të disa miqve e të afërmve të tyre, arritën të sigurojnë barasvlerësin e 60 000 dollarëve amerikanë. Kjo shumë do të shërbente edhe si kapitali fillestar për pararendësen e kompanisë teknologjike "Dahua" të Zhejiang-ut, e cila filloi zyrtarisht nga funksionimi në vitin 2001. Ndonëse 60 mijë dollarë ishin një shumë e madhe dhe e papërballueshme për Fu Liquan-in dhe të shoqen në atë kohë, në të vërtetë mund të quhet një shifër e papërfillshme po të krahasohet me fitimet që do të sillte kompania brenda disa vjetësh, veçanërisht pas regjistrimit në Bursën e Shenzhen-it

Pas vitit 2009, ritmet e rritjes së kompanisë teknologjike "Dahua" të Zhejiang-ut arritën në pothuaj 25 %, duke shënuar pikën më të lartë në vitin 2011, kur kapën vlerën e 45 %. Një nivel i tillë mbresëlënës rritjeje i kompanisë së themeluar e drejtuar prej tyre, bëri që Fu Liquan-i dhe e shoqja, Chen Ailing-u, të hynin në radhën e miliarderëve sipas listës së njerëzve më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës të hartuar nga revista prestigjioze "Forbes". Po atë vit Fu Liquan-i u rendit i 7-ti në "Listën e kryezyrtarëve ekzekutivë më të mirë" në Kinën kontinentale, të hartuar po nga revista "Forbes", listë e cila i jep më shumë rëndësi aftësisë në menaxhimin e një kompanie sesa vlerës numerike të pasurisë së një sipërmarrësi, siç bëhet në "Listën e njerëzve më të pasur" të revistës "Forbes". E pikërisht për të shtuar aftësitë e njohuritë e veta në menaxhim, Fu Liquan-i kreu edhe studimet për master në administrim biznesi në Universitetin e Zhejiang-ut

Kompania teknologjike "Dahua" e Zhejiang-ut është tashmë një ndër kompanitë më të mëdha të prodhimit e të tregtimit të pajisjeve të mbikëqyrjes e të sigurisë në Kinë. Vlerësohet se tani ajo renditet e dyta për sa i përket pjesës së tregut në Kinë. Falë punës, përpjekjeve, vizionit e aftësisë sipërmarrëse të Fu Liquan-it, si edhe prirjes së tij për të bërë ndryshime të shpejta për përmirësim të mëtejshëm dhe për arritjen e objektivave ambiciozë, duke u mbështetur në krijimin e risive, kompania "Dahua" pati një rritje që prej disave është quajtur fenomenale brenda një periudhe ​​prej 10 vjetësh. Ajo pothuajse që prej themelimit nisi të krijojë një rrjet botëror biznesi, me zyra në Amerikë, Europë, Afrikë dhe në shumë vende të Azisë. Kompania teknologjike "Dahua" e Zhejiang-ut e ka zgjeruar tashmë gamën e pajisjeve të veta, duke prodhuar produkte në përputhje me kërkesat e sektorëve të shumtë, të tillë si sektori bankar, energjetika, transporti etj. Nga ana tjetër, "Dahua" ka marrë pjesë në shumë projekte të mëdha, duke përfshirë ndër të tjera objektet olimpike në vende të ndryshme, pallatin e Kremlinit në Moskë të Rusisë, metronë e Londrës e mjaft të tjera.

Duke e vënë theksin te inovacioni, "Dahua" zotëron tashmë më shumë se 400 patenta dhe ka 20 patentash shpikjesh në emrin e saj.

Kompania teknologjike "Dahua" ka tashmë një kapital të regjistruar prej 187 milionë dollarësh amerikanë dhe asete me vlerë 705 milionë dollarë amerikanë. Numri i punonjësve të saj është 8 mijë, ndërsa të ardhurat nga shitjet vjet i kaluan 1.2 miliardë dollarët amerikanë. Vetë pasuria e Fu Liquan-it është, sipas vlerësimit të "Forbes"-it, 2.8 miliardë dollarë amerikanë, çka e rendit atë të 70-tin në listën e njerëzve më të pasur në pjesën kontinentale të Kinës dhe në vendin e 73-të për sa u përket sipërmarrësve më të pasur në sektorin e teknologjisë në botë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore