Engjëjt me të bardha, drita e jetës së pacientëve

2020-05-15 16:55:51 CRI Komenti juaj Printoni

Kujdesi infermieror është një art dhe, që të realizohet si i tillë, kërkohet përkushtim i plotë dhe përgatitje e fortë, sikurse për çdo vepër piktori apo skulptori, me ndryshimin se nuk do të punosh mbi një telajo ose një mermer të ftohtë, por me trupin njerëzor, tempullin e shpirtit të Zotit. Është një nga Artet e Bukura. Madje më i bukuri i Arteve të Bukura!" --- Florence Nightingale

12 maji është Dita Ndërkombëtare e Infermierisë dhe 200-vjetori i lindjes së Florence Nightingale, infermierja e parë që hodhi themelet e Statistikës Infermierore dhe i hapi rrugën Kërkimit Shkencor Infermieror. Në kohën e punës së saj, Florence me përkushtim dhe vetëmohim arriti të ulë përqindjen e vdekshmërisë së ushtarëve nga 42.7% deri në 2.2%. Në kohët e sotme, engjëjt e ndritshëm mbrojtën me dashuri, përgjegjësi dhe kujdes jetën e pacientëve të prekur nga virusi i COVID-19 në një luftë pa tym. Në këtë ditë të pazakontë, le të njihemi me disa tregime të "Engjëjve me të bardha".

Kryeinfermierja e Departamentit të Urgjencës të Spitalit të Miqësisë të Pekinit, Ai Qinwei është një infermiere me shumë përvojë profesionale, e cila shkoi në Wuhan për të luftuar në vijën e parë me të prekurit nga COVID-19 gjatë periudhë së rëndë epidemike në Kinë para 3 muajsh.

"Në vigjilje të Festës së Pranverës, pasi pashë lajmet për epideminë në Wuhan, i thashë fëmijës tim: 'Do të shkoj në Wuhan, nëse ka nevojë.' Wuhan-i është epiqendra e shpërthimit të virusit COVID-19. Kam punuar në Departamentin e Urgjencës për mbi 30 vite. Në vitin 2003, isha në vijën e parë të luftës kundër virusit të SARS-CoV. Kisha përvojë të bollshme profesionale dhe psikologjike kundër epidemisë. Mendova, duhet të marr përsipër përgjegjësinë e duhur."

Infermierja Wu Zhengfang e Departamentit të Mjekësisë Infektive të Spitalit të Miqësisë të Pekinit, me përvojë 26-vjeçare u tregua menjëherë e gatshme për të shkuar dhe ndihmuar Wuhan-in. Duke folur pse zgjodhi profesionin e infermieres, Wu tha se asaj i pëlqen veshja e bardhë dhe kapelja e bukur e infermieres. Deri sot, ajo nuk është penduar kurrë për këtë zgjedhje të çmuar, profesion që i dha kënaqësi të madhe nëpërmjet kujdesit ndaj pacientëve.

"Në sektorin e mjekësisë qarkullon një shprehje: 'goja e mjekut, këmbët e infermieres'. Mjeku është hartuesi i planit mjekësor, infermieri është zbatuesi i këtij projekti. Gjatë epidemisë në Wuhan, pas hartimit të projektit të trajtimit, infermierët ishin më të ngarkuarit me punë, si përgatitja e dhënies së ilaçeve, përkujdesi ndaj pacientëve, vëzhgimi i pacientëve etj. Infermierët duhet të monitorojnë pacientë 24 orë. Kur i jepja ilaçet ose ofroja shërbime mjekësore, duhet të vëzhgoja gjendjen e lëkurës dhe gjendjen psikologjike të pacientëve. Nëse vija re ndonjë abnormalitet, duhet t'u raportoja në kohën e parë mjekëve përkatës. Kjo është një punë dhe ndihmë e rëndësishme për pacientë."

Duke folur për 65 ditët e punës gjatë luftës kundër epidemisë në Wuhan, këta ëngjëj ruajtën kujtime më të çmuara nga falënderimet e pacientëve. Infermierja Wu na tregoi mbi kujdesin e një pacienteje 72 vjeçare. Ajo ishte e prekur me uremi për shumë vite dhe pati temperature të lartë. Pas trajtimit mjekësor prej mbi 10 ditësh në spital, gjendja shëndetësore e saj u përmirësua. Infermierja Wu u merakos për rrezikun e përkeqësimit të sëmundjes gjatë skanerit dhe e dërgoi pacienten me shpejtësi rrufe drejt imazherisë. Pas kësaj pune, infermierja 44 vjeçe u lodh aq shumë sa qëndroi pa folur asnjë fjalë për një kohë të shkurtër.

"Kjo teto u ngrit dhe bëri një përkulje të thellë, ajo më mori duart dhe më tha: Faleminderit! Faleminderit! Atë kohë, isha me syze mbrojtëse dhe u përpoqa të mos lotoja që të mos më visheshin syzet. I thashe se kjo ishte puna ime. Gjatë periudhës në Wuhan, përpjekjet tona shëruan shumë pacientë dhe ruajtëm kujtimet më të çmuara nga falënderimet e tyre."

Gjatë kësaj lufte të vështirë, infermieret e reja u ngarkuan gjithashtu me detyra të shumta mjekësore. Pas shpërthimit të epidemisë, infermierja Zhao Meijia u largua ne fëmijën e saj mbi 1 vjeç dhe erdhi në Wuhan. Ajo tha se në kohën para largimit nga Wuhani, mund të shihte panoramën e ringjalljes të këtij qyteti me rrugët e mbushura me njerëz, e cila ishte shumë ndryshe nga panorama e rrugëve bosh në Wuhan kur erdhi në fillim të epidemisë. Kjo ishte praktika dhe sprova më e madhe e saj që zgjati mbi 2 muaj.

Infermierja Zhao tha: "U rritëm në një jetë të lumtur falë kontributit të punës së vështirë të brezit të vjetër. Kjo epidemi na ngarkoi papritur me shumë përgjegjësi. U shkëputa përkohësisht nga fëmija im, me qëllim që më shumë fëmijë të kishin mundësi të ribashkoheshin sa më parë me nënat e tyre."

Me ardhjen e Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë të 109-të, engjëjt e veshur me të bardha në frontin e parë të luftës kundër epidemisë në Wuhan inkurajuan dhe prekën shumë infermierë të tjerë në mbarë globin. Kryeinfermierja e Departamentit të Urgjencës të Spitalit të Miqësisë të Pekinit, Ai Qinwei tha:

"Duhet t'u tregojmë të gjitha infermiereve të botës se do të triumfojmë patjetër në luftën kundër epidemisë, këmbëngulja do të na sjellë fitoren. Kemi kaluar shumë vështirësi dhe përjetuar frikë gjatë luftës kundër epidemisë në Wuhan, për shkak të këtij virusi të panjohur. Por nëse vetëmbrohemi si duhet, qëndrojmë të bashkuar dhe këmbëngulim me vendosmëri, kjo pandemi në fund do të shfaroset." (Xu Guang/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore