Historia e Zhang Fengling-ut: Sëmundja nuk është aq e frikshme

2020-02-19 13:22:21 CRI Komenti juaj Printoni

Ndërsa gjithnjë e më shumë pacientë të infektuar me koronavirusin e ri kanë dalë nga spitali pas shërimit, disa prej tyre tani po rrëfejnë historitë e veta frymëzuese të luftimit të koronavirusit me optimizëm, vetëdisiplinë dhe këmbëngulje.

Një prej tyre është edhe Zhang Fengling-u, të cilën njohuritë mjekësore dhe qëndrimi pozitiv e ndihmuan të fitonte betejën kundër virusit.

Zhang, një ish-studente e mjekësisë, thotë se më 20 janar nisi ta ndiente fytin të thatë, dhe pastaj filloi të kollitet. Këto simptoma menjëherë e alarmuan dhe ajo filloi të veprojë:

"Nuk humba kohë dhe u vetizolova në dhomën time. Fillova ta përgatisja ushqimin për vete veçmas nga familja ime dhe vura një maskë. Në fillim njerëzit e shtëpisë menduan se po reagoja në mënyrë të tepruar. Por më mirë të isha e sigurt sesa të pendohesha më vonë."

Veprimet e saj e mbrojtën të birin, nxënës në klasën e tretë të shkollës fillore, nga infektimi. Temperatura e Zhang Fengling-ut së shpejti u ngrit në 37.6 gradë dhe ajo u diagnostikua si e infektuar me koronavirus.

Në fillim, Zhang-u qëndroi në shtëpi, duke pirë shumë ujë, ndërsa më vonë u shtrua në një spital të improvizuar.

"Të jem e sinqertë, isha në panik ditën e parë kur arrita, pa ditur se çfarë do të sillte e nesërmja, a çfarë masash do të marrë qeveria," shprehet ajo.

Por shpejt, kujdesi dhe përkushtimi i treguar nga stafi mjekësor e lehtësuan Zhang-un. Ajo e regjistronte gjendjen e saj çdo ditë. Kur mjekët dhe infermieret ishin të zënë, Zhang Fengling-u i ndihmonte ata të shpërndanin ushqime dhe ilaçe për të sëmurët e tjerë.

Si adhuruese e maratonës, Zhang Fengling gjithashtu i ndihmonte pacientët e tjerë me ushtrimet për të forcuar sistemin e tyre imunitar.

Pas katër ditësh në spital, simptomat e Zhang Fengling-ut u zhdukën dhe ajo doli nga spitali. Zhang thotë se, përveç padurimit për të vrapuar përsëri në maratonë, do që ta ndajë përvojën e saj të luftës kundër virusit me njerëzit e tjerë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore