2020-06-24 18:53:18 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:共识---[gòng shí]---Konsensus
Gjatë disa ditëve të kaluara, u zhvilluan radhazi samiti i posaçëm i solidaritetit mes Kinës e Afrikës për përballimin e pandemisë, videokonferenca e nivelit të lartë e bashkëpunimit ndërkombëtar për "Një brez, një rrugë" dhe takimi i 22-të i liderëve midis Kinës dhe BE-së. Me këtë rast, diplomacia kineze, e përfaqësuar nga "diplomacia e kreut të shtetit", ka ndërvepruar aktivisht me vendet e rajonet përkatëse, duke mbledhur forcat dhe duke nxitur konsensusin e mbarë globit për përballimin e pandemisë.
Më 22 qershor, presidenti i Kinës Xi Jinping u takua përmes videokonferencës me kryetarin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe kryetaren e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Në gjendjen e vështirë pandemike, ky takim nëpërmjet internetit midis udhëheqësit të Kinës dhe liderëve evropianë është bërë "një rrymë e ngrohtë" në bashkëpunimin ndërkombëtar kundër pandemisë.
Gjatë takimit, Xi Jinping-u paraqiti konceptin se Kina synon paqen e jo hegjemoninë; ajo ofron mundësi e nuk përbën kërcënim dhe është partnere e jo rivale. Ai theksoi se pala kineze është e gatshme të përpiqet bashkërisht me palën evropiane, që t'i nxitin marrëdhëniet kino-evropiane të bëhen më të të qëndrueshme e më të pjekura në periudhën pas pandemisë dhe t'i ngrenë ato në një nivel më të lartë.
Cui Hongjian, drejtori i Departamentit të Evropës pranë Institutit të Studimit të Çështjeve Ndërkombëtare të Kinës, është i mendimit se, me diplomacinë cloud, Kina lëshoi sinjalin e kthimit në orbitën normale të bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh dhe hodhi bazë për "rinisjen".
"Nga njëra anë, Kina dhe BE-ja duhet të ngulin këmbë në agjendën ekzistuese të bashkëpunimit e angazhimeve ndaj njëra-tjetrës, dhe nga ana tjetër, duhet të marrin parasysh ndryshimet dhe problemet e reja pas pandemisë. Ky takim përcaktoi tonin e marrëdhënieve kino-evropiane pas goditjes së pandemisë, që do të thotë se cilat aspekte do të vazhdojmë të stabilizojmë dhe cilat vështirësi do të kapërcejmë."
Javën e kaluar, presidenti Xi drejtoi samitin e posaçëm të solidaritetit mes Kinës e Afrikës për përballimin e pandemisë, ku morën pjesë liderët nga vendet anëtare të presidiumit të Samitit të Bashkimit Afrikan dhe nga vendet kryetare të radhës të Organizatës së Nënrajoneve Kryesore të Afrikës. Nëpërmjet kësaj videokonference, liderët e Kinës dhe të Afrikës u mblodhën për konsultime lidhur me masat për përballimin e pandemisë.
Në fjalimin e tij kryesor, Xi vuri në dukje se solidariteti dhe bashkëpunimi janë armët më të forta kundër pandemisë. Solidariteti u bë fjala kyçe e këtij samiti. Lidhur me këtë, He Wenping, bashkëpunëtore e Institutit të Studimit të Çështjeve Afrikane të Kinës, është e mendimit se, me përhapjen e epidemisë në mbarë globin, ka pasur nga ata që janë orvatur ta politizojnë epideminë dhe ta etiketojnë virusin, ndërkohë që edhe janë shfaqur zërat e diskriminimit racial dhe të paragjykimeve ideologjike. Me këtë rast, Kina ka mbajtur lart flamurin e solidaritetit dhe bashkëpunimi kino-afrikan i shërben botës si shembull.
Në mesazhin e tij për videokonferencën e nivelit të lartë të bashkëpunimit ndërkombëtar për "Një brez, një rrugë", presidenti kinez Xi Jinping vuri në dukje se fatet e vendeve të ndryshme janë të lidhura ngushtë dhe njerëzimi është një bashkësi e fateve të përbashkëta. Për përballimin e pandemisë dhe për rimëkëmbjen e ekonomisë, vendet e ndryshme duhet të ndjekin rrugën e solidaritetit e bashkëpunimit dhe të ngulin këmbë në multilateralizmin.
Cui Hongjian u shpreh se përballë ngjarjes më të rëndë të shëndetit publik global pas Luftës së Dytë Botërore, një sërë veprimesh të diplomacisë cloud kanë pasur rezultate të dukshme dhe mishërojnë elasticitetin e diplomacisë kineze, si dhe aftësinë e trajtimit të krizës. Cui theksoi se, me përhapjen e pandemisë, thirrja e Kinës për solidaritet, bashkëpunim dhe multilateralizëm po bëhet konsensus global, i cili do të shndërrohet në besim e forcë në luftën kundër pandemisë.