Kinë, shpejtohet ndërtimi i portit të tregtisë së lirë të Hainanit

2020-06-02 15:34:23 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:贸易---[mào yì]---Tregti

Ditët e fundit, qeveria kineze publikoi planin e përgjithshëm të ndërtimit të portit të tregtisë së lirë në provincën Hainan.

Në dokument qartësohet se masat e tregtisë së lirë do të zbatohen në gjithë provincën ishullore.

Ekspertët janë të mendimit se zhvillimi i Kinës duhet të nxitet nëpërmjet ngritjes së nivelit të hapjes dhe gjatë këtij procesi, kërkohet një model si zona e posaçme ekonomike në qytetin Shenzhen, që u krijua në fillim të Reformës dhe të Hapjes në vitet '80 të shekullit të kaluar.

Lidhur me këtë, kryeekonomisti i Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare Zhang Yansheng u shpreh se Hainani është bërë si një dritare dhe urë, nëpërmjet të cilave talentet, faktorët prodhues cilësorë dhe institucionet botërore të lidhura me risitë mund të hyjnë në Kinë, duke nxitur zhvillimin e vendit në fushat shkencore, teknologjike dhe të novacionit. "Nga ana tjetër, ai mund të lidhë ekonominë kineze me atë botërore në një nivel të lartë," shtoi z. Zhang.

Sipas projektit, objektivi i zhvillimit të portit të tregtisë së lirë të Hainanit është që në vitin 2025 të krijohet sistemi i politikave për liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë dhe të investimeve; në vitin 2035, të bëhet një shembull i ekonomisë së hapur të Kinës; në mesin e këtij shekulli, të kthehet në port të tregtisë së lirë me ndikim ndërkombëtar.

Për t'u arritur këto objektiva, në projektin e përgjithshëm përcaktohen qarkullimi i të dhënave shifrore dhe nxitja e liberalizimit e lehtësimit në fushat e tregtisë, të investimeve, të kapitaleve ndërkufitare, të njerëzve e të transportit. Analistët i vlerësojnë këto masa si "të pashoqe dhe inovative".

Zv.kryetari i Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës Gao Peiyong vuri në dukje se interpretimi i "liberalizimit" dhe "lehtësimit" është i rëndësishëm. "Sipas mendimit tim, liberalizim do të thotë administrim i paktë, kurse lehtësim kontroll i domosdoshëm. Nga një anë qeveria do të ulë kontrollet, ndërsa nga ana tjetër në fushat ku duhet kontrolli, qeveria duhet të luajë rolin e duhur. Kjo do të thotë që të lejohet tregu të zotërojë fushat ku funksionojnë mirë rregullat e tregut, dhe të zbatohet parimi i rolit të kufizuar të qeverisë me kosto të ulët funksionimi. Në portin e tregtisë së lirë nuk do të ketë sistem qeveritar si ai në pjesën kontinentale të vendit", tha z. Gao.

Në planin e përgjithshëm paraqiten edhe shumë masa të reja, si për shembull sistemi për listën negative të tregtisë ndërkufitare të shërbimeve, lejet e hyrjes në treg, emetimi i bonove në emër të portit të tregtisë së lirë për investitorët globalë, zgjerimi i heqjes së vizave etj. Të gjitha masat do të hedhin bazë të shëndoshë për ndërtimin e portit të tregtisë së lirë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore