CMG-ja: Tërheqja nga OBSh-ja është në dëm të vetë ShBA-së dhe të tjerëve

2020-06-01 18:32:28 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:退出---[tuì chū]---Tërheqje

Presidenti amerikan Donald Trump shpalli tërheqjen e vendit të vet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Lidhur me këtë Grupi Mediatik i Kinës shprehet në një koment se ky veprim do të dëmtojë jo vetëm të tjerët, por edhe vetë palën amerikane.

"Para përhapjes së virusit në përmasë globale, asnjë vend nuk mund të rrijë pa u prekur dhe solidariteti e bashkëpunimi janë armët më të fuqishme kundër epidemisë. Por arsyeja shkencore nuk ka asnjë kuptim në sytë e disa politikanëve amerikanë. Pasi zbuluan se dështimi në punën antiepidemike do të dëmtonte interesat e tyre politike, ata e shënjeshtruan OBSh-në si fajtore, duke ia hedhur asaj përgjegjësinë," thuhet në koment.

Faktikisht, arsyetimet që politikanët amerikanë përdorin për të ndërprerë marrëdhëniet me OBSh-në nuk kanë asnjë bazë. Si një organizatë e OKB-së, OBSh-ja nuk është nën varësinë e qeverisë federale amerikane, kështu që Uashingtoni nuk ka të drejtë t'i kërkojë OBSh-së të veprojë sipas dëshirës së tij, duke mbajtur përgjegjësinë e ShBA-së.

Në komentin e CMG-së vihet në dukje se, si organizata me më shumë autoritet dhe më profesionale në fushën e shëndetit publik botëror, OBSh-ja ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm në bashkërendimin e vendeve të ndryshme për përballimin e pandemisë së COVID-19. Ajo ka paralajmëruar në kohën më të parë për rënien e pneumonisë së panjohur, ka publikuar udhëzime për diagnostikimin dhe trajtimin e rasteve të infeksionit, ka dërguar pajisje të mbrojtjes personale dhe të diagnostikimit në më shumë se 100 vende të botës, ka organizuar vendet e ndryshme të shpejtojnë studimin e vaksinave dhe ka zhvilluar konferencën ndërkombëtare për hartimin e planit global të veprimit kundër epidemisë. Të gjitha përpjekjet dhe kontributet e OBSh-së kanë fituar vlerësim të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar.

Pikërisht për këtë arsye, pasi ShBA-ja deklaroi tërheqjen nga OBSh-ja, vendet e ndryshme shprehën kritika ndaj vendimit të palës amerikane. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë Jose Borrell ritheksuan në një deklaratë të përbashkët mbështetjen e Europës ndaj OBSh-së dhe e nxitën ShBA-në të rishikojë vendimin e tërheqjes. Ministri gjerman i Shëndetësisë Jens Spahn deklaroi në mediat sociale se ndërprerja e marrëdhënieve të ShBA-së me OBSh-në është një dështim i punës globale të shëndetësisë, ndërsa homologu i tij italian Roberto Speranza theksoi se tani duhet një OBSh më e fuqishme pas reformimit, jo një më e dobët.

Duhet të theksohet se deklarata e liderit amerikan se kuota e ShBA-së për OBSh-në do të shpërndahet në vendet e ndryshme për të përmbushur nevojat urgjente të shëndetit publik në botë, ndoshta është një gënjeshtër tjetër. Deri në fund të shkurtit, ShBA-ja ende nuk kishte paguar më shumë se 70 % të kuotës së OBSh-së për vitin 2019. Një artikull nga "Politico", një uebsajt i njohur amerikan i lajmeve politike, zbuloi se qysh në mes të shkurtit, Shtëpia e Bardhë njoftoi në buxhetin e saj për vitin fiskal 2021 se kishte kërkuar qartë nga Kongresi që të shkurtojë më shumë se gjysmën e kontributit ndaj OBSh-së.

CMG-ja komenton se vendimi i qeverisë amerikane për të ndërprerë lidhjen me OBSh-në do ta shtynte ShBA-në në izolim. OBSh-ja nuk do ta ndalojë funksionimin e vet për shkak të tërheqjes së ShBA-së, por populli amerikan do të paguajë për këtë vendim të rrezikshëm dhe egoist të politikanëve amerikanë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore