2020-05-13 16:26:39 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:考察---[kǎo chá]---Inspektim
Gjatë inspektimit ditët e fundit në provincën Shanxi të Kinës Veriore, presidenti i Kinës Xi Jinping theksoi se duhet të kapërcehen ndikimet negative të epidemisë së pneumonisë së COVID-19 dhe të hidhen hapa më të mëdhenj për transformimin drejt një ekonomie më cilësore, që të sigurohet çrrënjosja e varfërisë brenda këtij viti dhe të ndërtohet në mënyrë të gjithanshme një shoqëri relativisht e begatë.
Provinca Shanxi është e para zonë pilot në rang province në Kinë për reformën komplekse të tranzicionit nga ekonomia e bazuar në burimet natyrore.
Të martën paradite, Xi Jinping-u vizitoi Qendrën e Shërbimeve Administrative të Zonës Pilot të Provincës Shanxi. Ai theksoi se prej kohësh, provinca Shanxi kishte lulëzuar në saje të qymyrgurit, por zhvillimi këtu ka mbetur pezull si pasojë e mbështetjes vetëm te industria e qymyrgurit. Ndërtimi i zonës pilot të reformës komplekse për tranzicionin ekonomik është një mision i rëndësishëm i provincës Shanxi dhe gjithashtu një hap kyç për realizimin e tranzicionit ekonomik. "Shpresoj se provinca Shanxi do të niset nga strategjia afatgjatë dhe do të këmbëngulë në reformën, që të gjejë sa më parë një rrugë të përshtatshme për tranzicionin ekonomik," u shpreh Xi.
Ai inspektoi edhe kompaninë e prodhimit të çelikut të paoksidueshëm të imët pranë Grupit të Gizës e të Çelikut "Taiyuan". Kjo kompani ka pasur zhvillim të vrullshëm në prodhimin e fletëve të çelikut "tepër të holla, tepër të sheshta dhe tepër të forta". Në uzinën e kompanisë, Xi pa me interes të madh fletët e çelikut të paoksidueshëm që mund të çaheshin me dorë.
Xi tha se produktet dhe teknologjia kanë rëndësi jetike për bizneset, duke bërë thirrje për më shumë përpjekje lidhur me novacionin teknologjik, për të dhënë kontribut më të madh për zhvillimin e manifakturës së përparuar.
Gjatë bisedës me punëtorët e uzinës, Xi paraqiti shpresën për krijimin e risive prej kompanisë. "Kënaqem shumë për arritjet tuaja. Teknologjia e re dhe e lartë ka pasur zhvillim të vrullshëm në provincën Shanxi dhe Grupi i Gizës e Çelikut 'Taiyuan' ka pasur përparime të pandërprera në novacionin teknologjik, duke realizuar tranzicionin. Shpresoj që ju të ecni më përpara në fushën e çelikut të paoksidueshëm dhe të ngriheni në nivel më të lartë."
Ai u bëri thirrje gjithashtu bizneseve të zbatojnë me rreptësi masat parandaluese e kontrolluese kundër epidemisë, që të sigurojnë shëndetin e punëtorëve, në kohën që nxitin rifillimin e punës dhe prodhimit për të pakësuar humbjet.