2020-05-12 17:07:27 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:疫苗---[yì miáo]---Vaksinë
Sipas njoftimit të së dielës të gazetës "The New York Times", Zyra Federale e Hetimeve (FBI) dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) i ShBA-së do të publikojnë së shpejti paralajmërimin që "piratët kinezë të internetit po orvaten të vjedhin arritjet e ShBA-së në kërkimin e vaksinave kundër COVID-19 dhe në mjekimin e pneumonisë së koronavirusit të ri."
Edhe CNN-i bëri të ditur ditët e fundit se zyrtarët amerikanë kanë vendosur ta fajësojnë Kinën për sulmet kibernetike që pësuan kohët e fundit një pjesë e spitaleve, laboratorëve dhe kompanive farmaceutike në ShBA.
Kjo është intriga e fundit e palës amerikane për përbaltjen e Kinës. Sulmet e saj ndaj Kinës janë shndërruar nga "të paturpshme" në "të pakujdeshme" ndaj jetës.
Sipas njoftimit të së dielës të CBS-it, virologu i famshëm amerikan Peter Daszak u ndalua nga qeveria amerikane të bëjë kërkime për virusin COVID-19, sepse këto kërkime bazohen në bashkëpunimin midis Institutit Kombëtar të Shëndetësisë të ShBA-së dhe Institutit të Virologjisë të Wuhan-it. Nga kjo ngjarje shihet edhe një herë fakti se kërkimet shkencore janë penguar seriozisht nga politikanët amerikanë, të cilët synojnë vetëm interesat politike personale nën pretekstin e motos "Amerika e para", pa përfillur emergjencën pandemike.
Si vendi që i paraqiti botës i pari gjendjen epidemike të pneumonisë së koronavirusit të ri, Kina ka mbajtur qëndrim të hapur për bashkëpunim në kërkim-zhvillimin e vaksinave përkatëse dhe ka ndarë në kohën më të parë me vendet e tjera informacionet e gjenomit të koronavirusit. Më 6 maj, grupi kërkimor i kryesuar prej profesorit Qin Chuan nga Instituti i Eksperimenteve Mjekësore me Kafshët pranë Akademisë së Shkencave të Kinës, publikoi i pari në revistën prestigjioze "The Nature" rezultatin e provës me kafshët të vaksinës së parë për COVID-19, ku vërtetohet se vaksina joaktive është e sigurt dhe efektive për majmunin rezus. Ky është i pari rezultat i publikuar për eksperimentet në kafshë të vaksinave të COVID-19.
Sigurisht, Kina është ndër më të përparuarat në botë në kërkimin e vaksinave kundër COVID-19 dhe në metodën e mjekimit dhe ka qenë e hapur në këtë drejtim. Analistët janë shprehur se, "si vendi me përvojën më të madhe në përballimin e koronavirusit, Kina s'ka nevojë të vjedhë informacionet e palës amerikane nëpërmjet piratëve kompjuterikë."
Asnjë vend tjetër në botën e sotme nuk është më i përshtatshëm se ShBA-ja të quhet si "mbretëria e piratëve kompjuterikë", kurse Kina është viktimë e sulmeve të tyre. Gjatë shumë vjetëve, ShBA-ja ka shkelur haptazi ligjin ndërkombëtar dhe kriterin bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ka zbatuar përgjimin dhe sulmet kibernetike masive dhe pa dallim ndaj qeverive, kompanive e individë të vendeve të tjera. Ky ka qenë një "sekret i hapur".
Në njoftimin e gazetës "The New York Times", për t'ia vënë Kinës fajin e "vjedhjes" së informacioneve, u përdor edhe një herë shprehja e pasaktë "ekspert i sigurisë", një shprehje që të kujton veprimin e mëparshëm të Mike Pompeo-s, që nguli këmbë në "daljen e virusit nga laboratori kinez", por duke pohuar njëkohësisht se s'ka dëshmi për këtë. Kjo vërteton edhe një herë logjikën imponuese të politikanëve amerikanë.