2020-04-29 16:59:21 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:旅游---[lǚ yóu]---Turizëm
Analistët thonë se sektori turistik i Kinës pritet të rimëkëmbet më tej nga dëmet e shkaktuara nga epidemia e koronavirusit të ri, gjatë pushimeve me rastin e 1 Majit, Ditës së Punëtorëve. Por ata shtojnë gjithashtu se masat kontrolluese duhet të ruhen në mënyrë të rreptë.
Sipas një sondazhi në platformën e medies sociale "Weibo", "Twitter"-i kinez, 48 për qind e përdoruesve të internetit do të qëndrojnë në shtëpi gjatë pushimeve, për të shmangur infektimin nga COVID-19.
Megjithatë, afro një e katërta e të pyeturve thanë se do të udhëtojnë gjatë pushimeve 5-ditore, që do të zgjatin nga kjo e premte deri të martën e ardhshme.
Epidemiologia e famshme kineze Li Lanjuan sugjeron se banorët mund të bëjnë disa udhëtime të shkurtra në vendet që kategorizohen me rrezik të ulët në pandemi.
"Ctrip", agjencia turistike në internet me status udhëheqës në Kinë, raporton se rezervimi para mbërritjes në një pikë turistike pritet të bëhet prirja e re.
Mbi 3800 pika turistike në mbarë Kinën janë rihapur dhe ofrojnë shërbimet e rezervimit të biletave në internet nëpërmjet platformës "Ctrip". Parashikohet se numri i pikave turistike që do të rivihen në funksionim gjatë pushimeve të 1 Majit do t'i kalojë 4 mijët.
Dai Bin, kreu i Akademisë së Turizmit të Kinës, është i mendimit se mënyrat kryesore të turizmit në Kinë gjatë pushimeve të 1 majit do të përshijnë vizita çlodhjeje brenda një qyteti, vizita në rajonet përreth, udhëtime me makinat e vetë turistëve, si dhe turizmin familjar. Udhëtimet rrugore në pikat e afërme turistike mund të vijojnë të jenë të pëlqyera.
Zyrtarët u bënë thirrje turistëve të vazhdojnë të marrin masa kontrolluese kundër koronavirusit, për të parandaluar përsëritjen e epidemisë.
Feng Luzhao, studiues nga Qendra e Kontrollit dhe e Parandalimit të Epidemisë e Kinës, tha se të moshuarit, gratë shtatzëna dhe pacientët me sëmundje kronike nuk sugjerohen të bëjnë udhëtime. Edhe turistët e tjerë nuk këshillohet të udhëtojnë pa përgatitjet e duhura dhe në destinacione të largëta. Ata duhet të shmangin destinacionet më popullore ose orët e pikut, si edhe veprimtaritë përtëritëse në mjedis të mbyllur.
Autoritetet kineze kanë urdhëruar që vetëm pikat turistike në mjedis të jashtëm mund të hapen për publikun dhe numri i vizitorëve në një pikë turistike nuk mund ta kalojë 30 për qind të kapacitetit maksimal. (Wang Lei)