2020-04-20 15:27:52 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:生命---[shēng mìng]---Jetë
Sipas autoriteteve shëndetësore të Kinës, përqindja e shërimit ndër më shumë se 2500 pacientët mbi 80-vjeçarë të konfirmuar me COVID-19 në Wuhan, është gati 70 %. Shtatë të moshuar mbi 100 vjeçë kanë dalë nga spitali.
Lidhur me këtë, Grupi Mediatik i Kinës (CMG) botoi një koment, sipas të cilit, si një ndër grupet që kanë vështirësi më të mëdha mjekimi, kjo shifër vërteton parimin e qeverisë kineze për ta vënë jetën e banorëve në vendin e parë gjatë përballjes me virusin. Të premten e kaluar, ky parim u ritheksua në një mbledhje të ekipit udhëheqës të Partisë.
Për të ndihmuar në luftën kundër epidemisë në provincën Hubei, qeveria kineze dërgoi aty mbi 42 mijë punonjës mjekësorë, shndërroi disa spitale dhe vende publike për mjekimin sa më parë të të sëmurëve, si edhe bleu dhe shpërndau materiale mjekësore, për të garantuar furnizimin në frontin e parë. Përballë emergjencës më të madhe të shëndetit publik pas krijimit të Republikës Popullore të Kinës, të gjitha masat synojnë vetëm një gjë: shpëtimin e çdo jete me përpjekje maksimale.
Sipas të dhënave statistikore, deri më 6 prill, shpenzimet mjekësore për pacient arritën në 21.5 mijë juanë (3035 dollarë amerikanë), për ata në gjendje të rëndë mbi 150 mijë, ndërsa për së sëmurët në terapi intensive shifra është disa herë më e madhe. Sigurimet mjekësore kanë bërë rimbursimin sipas rregullave, ndërkohë që do të publikohen edhe politika për subvencione financiare ndaj pjesës së përballuar nga vetë pacientët. Kjo masë ka zgjidhur shqetësimin e njerëzve për shpenzimet gjatë mjekimit.
Përballë krizës, masat për shpëtimin e jetëve pasqyrojnë ndërgjegjen shoqërore dhe aftësinë e veprimit të një vendi, sepse vetëm në raste ekstreme, njerëzit mund të kuptojnë më thellësisht marrëdhëniet e individit me shoqërinë dhe vendin.
Disa analistë vunë në dukje se epidemia ka zbuluar problemet kronike të shoqërisë amerikane, si diskriminimi racial, pabarazia e dukshme shoqërore etj. Për shembull, për 29 milionë amerikanë që nuk kanë sigurime shëndetësore, shpenzimet mjekësore për shtatë ditë arrijnë në 35 mijë dollarë, kurse afro 50 % e të infektuarve dhe 70 % e viktimave nga virusi në Çikago janë afro-amerikanë. Ndërkohë, që nga fundi i shkurtit, të paktën 7 000 veta në shtëpitë e të moshuarve kanë humbur jetën, shifër kjo që zë mbi 1/5 e numrit të përgjithshëm të viktimave në mbarë ShBA-në.
Në komentin e CMG-së theksohet se gabimet e qeverisë amerikane e kanë shkaktuar këtë tragjedi humanitare. "Logjika e kapitalit që mbizotëron dhe acarimi i hendekut midis të pasurve dhe të varfërve, bëjnë që e drejta bazë e jetës e amerikanëve të mos mbrohet plotësisht dhe, si pasojë, sakrifikohen interesat e shtresave të paprivilegjuara. Një ndër ndikimet kryesore të kësaj pandemie është kriza e modelit të qeverisjes dhe e vlerave në botën perëndimore", thotë CMG-ja në komentin e vet.