Xi Jinping-u mban fjalim në samitin e G20-s kundër COVID-19

2020-03-27 16:53:27 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:讲话---[jiǎng huà]---Fjalim

Më 26 mars në mbrëmje, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping mori pjesë në samitin e posaçëm të G20-s kundër COVID-19, ku mbajti fjalimin me titullin "Luftë e përbashkët kundër epidemisë, përballim i përbashkët i vështirësive".

Në fjalimin e tij, Xi vuri në dukje se tani bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë besim të vendosur, të shtojë solidaritetin, ta përballojë epideminë bashkërisht dhe të shtojë në mënyrë të gjithanshme bashkëpunimin ndërkombëtar, për të formuar një fuqi të madhe të përbashkët kundër epidemisë.

Ai paraqiti në samit katër propozime.

Së pari, të zhvillohet siç duhet beteja kundër COVID-19. Duhet të zhvillohet sa më parë mbledhja e ministrave të shëndetësisë të G20-s dhe të forcohet ndarja e informacioneve dhe bashkëpunimi mbi kërkimin e ilaçeve dhe vaksinave, për të parandaluar përhapjen ndërkufitare të epidemisë dhe për të ndihmuar vendet me sistem shëndetësor të dobët.

"Kina zbaton konceptin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit dhe është e gatshme të ndajë masat efektive parandaluese, të bëjë kërkimin e përbashkët të ilaçeve e vaksinave dhe të ofrojë ndihma brenda mundësive për vendet e goditura nga epidemia," tha Xi.

Së dyti, duhet të bëhet parandalimi në mënyrë të përbashkët dhe në rang ndërkombëtar. Xi Jinping-u vuri në dukje se Kina ka krijuar qendrën e njohurive për parandalimin dhe kontrollin e COVID-19 në internet, që është e hapur për të gjitha palët. Tani duhet të bashkohen të gjitha vendet për të shpejtuar studimin e ilaçeve dhe vaksinave.

Së treti, duhet të mbështeten organizatat ndërkombëtare për të luajtur rolin e tyre.

"Kina mbështet OBSh-në të luajë rolin drejtues dhe të hartojë masa të arsyeshme parandaluese, për të ndaluar sa më shumë përhapjen ndërkufitare të epidemisë. G20-a duhet të shtojë ndarjen e informacioneve, të promovojë udhëzimet efektive parandaluese dhe të zhvillojë mbledhjen e lartë të sigurisë globale për shëndetin publik. Kina, bashkë me vendet e tjera, do të shtojë mbështetjen për organizatat rajonale dhe ndërkombëtare," theksoi Xi.

Së katërti, duhet të shtohet bashkërendimi i politikave makroekonomike. Xi Jinping-u vuri në dukje se palët duhet të shtojnë makropolitikat stablizuese, për të parandaluar recesionin ekonomik botëror. Kina do të shtojë furnizimin e materialeve, si lëndët e para për ilaçet, mallrat e përdorimit të përditshëm dhe pajisjet kundër epidemisë. Kina do të vazhdojë politikat aktive fiskale dhe politikat e qëndrueshme monetare, do të lehtësojë pragun për hyrjen në treg, do të përmirësojë mjedisin e biznesit dhe do të shtojë importin dhe investime ndërkombëtare, për të dhënë kontribut për ekonominë botërore.

Kreu i shtetit kinez bëri thirrje gjithashtu që palët e G20-s të marrin masa të përbashkëta, të ulin ose të heqin tarifat doganore, të heqin pengesat tregtare dhe të japin sinjal të fuqishëm, për të stimuluar besimin e botës te mëkëmbja ekonomike. Krahas këtyre, duhet të hartohet një plan veprimesh i G20-s dhe një plan për bashkërendimin makropolitik në luftën kundër epidemisë.

Në fund u publikua deklarata e samitit të posaçëm të G20-s kundër COVID-19. Ky samit u organizua nga Arabia Saudite dhe u bë në mënyrën e videokonferencës, duke pasur si synim që të nxitet bashkëpunimi global dhe të stabilizohet ekonomia botërore.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore