2020-03-19 16:56:30 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:疫情---[yì qíng]---Gjendja e epidemisë
Në konferencën e 46-të për shtyp të bashkisë së qytetit Guangzhou mbi gjendjen epidemike, drejtori i grupit të ekspertëve të lartë pranë Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë të Kinës, akademiku Zhong Nanshan, iu përgjigj pyetjeve lidhur me luftën kundër pandemisë.
Për pyetjen nëse janë të përshtatshme për vendet e rajonet e tjera parimet e zbatuara në Kinë për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, si zbulimi, kontrolli, diagnostikimi e izolimi i hershëm, parandalimi e kontrolli unik etj., Zhong Nanshan tha:
"Parimisht po. Sigurisht metodat kineze kanë njëfarë lidhjeje edhe me sistemin e Kinës. E morëm këtë vendim duke marrë parasysh koston e lartë që do të paguanim. Më kujtohen fjalët e presidentit Xi Jinping, që të vihen në plan të parë shëndeti i popullit dhe siguria e banorëve të thjeshtë. Kjo do të thotë se duhet të veprojmë pavarësisht nga humbjet e mëdha ekonomike. Në fakt, ekonomia kineze kanë qenë në pezull gjatë dy muajve të fundit. Kemi paguar kosto të lartë, por kemi garantuar sigurinë e masave popullore. Mendoj se ky është drejtimi i duhur dhe liderët e vendeve të tjera duhet ta marrin parasysh me përparësi."
Akademiku Zhong është i mendimit se në vende të ndryshme parandalimi e kontrolli i epidemisë mund të zhvillohet duke marrë parasysh karakteristikat e brendshme, si dhe dendësinë e popullsisë. Por ai nuk mendon se i ashtuquajturi "imunizim kolektiv" do të jetë rrugëzgjidhje:
"Përballë të gjitha sëmundjeve ngjitëse, parandalimi që nga burimi është metoda më e lashtë, por më efektive. Mendoj se shumë vende duhet të veprojnë kështu. Nuk mendoj se i ashtuquajturi 'imunizim kolektiv' do ta zgjidhë problemin. Asnjë dëshmi nuk vërteton se ka imunizim të përhershëm pas një infeksioni. S'ka."
Në shkurt të këtij viti, për përballimin e gjendjes epidemike, Kina ngriti në qytetin Wuhan dy spitale të reja, si dhe 13 spitale të përkohshme në stadiume, ekspozita e qendra tregtare. Akademiku Zhong pohoi plotësisht rolin e tyre në luftën kundër epidemisë:
"Më e rëndësishmja është se në këto spitale, të prekurit nga COVID-19 mund të gëzojnë kujdes të veçantë për shëndetin e jetën e tyre dhe njëkohësisht ata nuk do të infektojnë të tjerët. Por, para krijimit të këtyre spitaleve të posaçme, të gjithë të sëmurët ishin të përzier me njëri-tjetrin, dhe kështu virusi mund të transmetohej pafundësisht. Kjo është një përvojë shumë e rëndësishme për vendet e tjera."
Kohët e fundit, janë shfaqur thënie për burimin e koronavirusit të ri nga Kina. Në këtë konferencë për shtyp, akademiku Zhong Nanshan shprehu mendimin e tij:
"Epidemia e pneumonisë së koronavirusit të ri ndodhi në Kinë, në Wuhan, por kjo nuk do të thotë se burimi i saj është në Wuhan. S'ka dëshmi. Ky është një problem shkencor dhe mund të sqarohet nga perspektiva e biologjisë molekulare dhe evolucionare. Mendoj se është e papërgjegjshme që të nxirren përfundime para studimeve të sakta." (Wang Lei)