CMG: Nuk ndryshon prirja e rritjes së ekonomisë kineze

2020-03-18 15:13:11 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:经济---[jīng jì]---Ekonomi

Kryeekzekutivi i "Apple"-it Tim Cook deklaroi ditët e fundit se kompania e tij do të mbyllë të gjitha dyqanet jashtë zonës pankineze deri më 27 mars, ndërsa konferenca e zhvilluesve, që parashikohej në qershor, do të zhvillohet përmes internetit, për të pakësuar rreziqet e përhapjes së virusit. Cook-u tha gjithashtu se, me kontrollin e epidemisë në Kinë, të gjitha dyqanet në zonën pankineze janë rihapur.

Nga deklarata e Cook-ut dalin dy informacione: së pari, me përhapjen e epidemisë së pneumonisë së virusit COVID-19, ka pasur gjithnjë e më shumë goditje ndaj ekonomisë dhe, së dyti, me kontrollimin e epidemisë, Kina po shpejton rivendosjen e rendit normal të ekonomisë.

Rihapja e dyqaneve të "Apple"-it në Kinë nënkupton edhe rifillimin e zinxhirit të furnizimit të kësaj kompanie. Prodhimi i "iPhone"-ave varet kryesisht nga fabrikat kineze. Vetëm fabrikat e kompanisë "Foxconn" në provincën Henan kontribuojnë për të paktën 1/4 e kapacitetit prodhues të "iPhone"-ave. Sipas të dhënave të publikuara nga qeveria e provincës Henan, deri më 6 mars, 180 mijë punëtorë u kthyen në fabrikat e "Foxconn"-it në këtë provincë, ose mbi 80 % e numrit të përgjithshëm.

Shembulli i "Apple"-it është një pasqyrë e shpejtimit të rifillimit të punës së ekonomisë kineze. Në bazë të përpjekjeve shumë të mëdha, Kina ka pasur rezultate të rëndësishme fazore në parandalimin e kontrollin e epidemisë dhe, si rrjedhim, "fabrika e botës" ka rifilluar gjithnjë e më shumë funksionimin. Sipas të dhënave të publikuara ditët e fundit nga pala zyrtare kineze, përveç provincës Hubei, kanë rifilluar punën 95 % e ndërmarrjeve industriale kineze të mëdha dhe 60 % e ndërmarrje të mesme e të vogla.

Funksionari i Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës bëri të ditur të hënën se në janar e shkurt, ekonomia kineze u përball me goditjen e epidemisë, por prirja e rritjes afatgjatë të saj nuk ka ndryshuar. Kjo është e pandashme nga masat rregulluese të qeverisë kineze gjatë mbi një muaji të kaluar.

Financat qendrore kineze ofruan përkrahje prej qindra miliona juanësh në ndihmë të ndërmarrjeve të prekura nga epidemia, duke pakësuar taskat dhe duke dhënë kredi me interesa të ulëta.

Në aspektin e politikave monetare, pas shpërthimit të epidemisë, banka qendrore kineze ofroi menjëherë një likuiditet prej 1.7 trilionë juanësh dhe krijoi kredi të posaçme me kosto të ulët prej 300 miliardë juanësh në përkrahje të ndërmarrjeve që marrin pjesë në luftën kundër epidemisë.

Krahas këtyre, u përmirësuan edhe investimet. Veçanërisht ekonomia digjitale ka treguar gjallëri të madhe dhe potencial kolosal për investime. Në mars, investimet fokusohen në ndërtimin e infrastrukturës së tipit të ri, të përfaqësuar nga 5G, interneti industrial dhe interneti i gjërave.

Me mbështetjen e politikave të sakta e të forta, ndikimet e epidemisë ndaj ekonomisë kineze janë afatshkurtra, të jashtme dhe të kontrollueshme. Ashtu siç parashikoi zëdhënësi i Zyrës Kombëtare të Statistikave, në tremujorin e dytë të këtij viti, ekonomia kineze do të përmirësohet dukshëm në krahasim me tremujorin e parë dhe në gjysmën e dytë të vitit do të ketë një ecuri më të qëndrueshme. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore