2020-03-14 02:43:41 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:外贸---[wài mào]---Tregti e jashtme
Drejtori i Tregtisë së Jashtme në Ministrinë e Tregtisë të Kinës Li Xingqian u shpreh të enjten në Pekin se tani ndërmarrjet kineze që merren me tregtinë e jashtme kanë rifilluar prodhimin në mënyrë graduale. Ministria e Tregtisë po i mbështet këto ndërmarrje të japin kontributin e duhur për parandalimin e epidemisë së koronavirusit në vendet e tjera të botës, me synim që të pakësohen në nivel minimal ndikimet e epidemisë mbi tregtinë e jashtme të Kinës dhe tregtinë botërore.
Li Xingqian u shpreh në vazhdim se, nën ndikimin e epidemisë dhe të pushimeve të Festës së Pranverës, ndërmarrjet e tregtisë së jashtme kanë rifilluar prodhimin më vonë se vitin e kaluar. Për këtë arsye, import-eksporti në dy muajt e parë të vitit, posaçërisht eksporti, është ulur në njëfarë mënyre.
Por ai bëri të ditur se, në janar dhe në shkurt, ka shënuar rritje eksporti i produkteve me cilësi të lartë, teknologji të lartë dhe vlerë të lartë të shtuar, si qarqet e integruara dhe automjetet. Krahas këtyre, edhe importi i mallrave të paambalazhuara ka ruajtur rritjen.
"Për të përballuar ndikimet nga epidemia, Ministria e Tregtisë, bashkë me departamentet e tjera, kanë publikuar shumë politika dhe masa për stablizimin e tregtisë së jashtme, me synim që të mbështetet rifillimi i prodhimit dhe të garantohet prodhimi sipas kërkesave të tregut ndërkombëtar dhe sipas marrëveshjeve të nënshkruara. Tani masat përkatëse po japin efekt. Ndërmarrjet po shpejtojnë procesin e rinisjes së prodhimit dhe niveli i zbatimit të kontratave është në rritje," tha Li.
Organizata Botërore e Shëndetësisë është shprehur ditët e fundit se epidemia e koronavirusit ka tiparet e pandemisë globale. Li Xingqian-i vuri në dukje që, nga perspektiva afatshkurtër, epidemia ka sjellë ndikime të pashmangshme mbi zinxhirin industrial e ekonominë globale dhe rritja e tregtisë globale përballet me presion. Ai theksoi që Ministria kineze e Tregtisë do t'i kushtojë vëmendje nga afër gjendjes së epidemisë e rifillimit të prodhimit të ndërmarrjeve dhe do të mbështetë rinisjen sa më parë të prodhimit.
Në mbledhjen e Këshillit të Shtetit të Kinës, të zhvilluar ditët e fundit, janë dhënë udhëzime për stabilizimin e tregtisë së jashtme dhe të investimeve të huaja, si edhe për shtimin e kredidhënies nga institucionet financiare për tregtinë e jashtme, përgatitjen për Panairin e Import-Eksportit të pranverës dhe nxitjen e bashkëpunimit tregtar me vendet e tjera.
Li Xingqian-i bëri të ditur që Ministria e Tregtisë po përmirëson mekanizmin e punës për stabilizimin e tregtisë së jashtme dhe do të shfrytëzojë rolin e plotë vendimtar të tregut në shpërndarjen e burimeve.
"Qeveria po merr masa për rritjen e efikasitetit të shqyrtimit të importeve, po shton më tej nivelin e lehtësimit dhe po shkurton kohën e shqyrtimit dhe miratimit, për të lehtësuar procedurat e importit," thotë Li Xingqian. (Jiang Lei)