Hipokrizia dhe mujshia e "lirisë së shtypit" të ShBA-së

2020-03-04 16:57:55 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 自由---[zì yóu]---Liri

Departamenti amerikan i Shtetit shpalli të martën se do të vendosë kufizime për numrin e punonjësve kinezë të degëve të pesë grupeve mediatike kineze në ShBA.

Kjo është një tjetër goditje e palës amerikane ndaj mediave kineze, pas masave si zbatimi i regjistrimit të mediave kineze si "agjentë të huaj" dhe kategorizimi i tyre si "misione të huaja". Ky veprim pa bazë i palës amerikane ndaj mediave kineze nuk është për të mbrojtur "lirinë e shtypit", por është shtypje e hapur politike dhe mujshi ndaj gazetarisë.

Pala amerikane pretendon se kjo është një kundërmasë sipas parimit të reciprocitetit. Por fakti është se Kina nuk ka kufizuar në asnjë mënyrë numrin e zyrave dhe të punonjësve të mediave amerikane në Kinë. Aktualisht, në Kinë ka 29 zyra mediatike amerikane, ndërsa në ShBA ka vetëm 9 zyra mediatike kineze. Gazetarët amerikanë kanë viza me hyrje të shumëfishta në Kinë, ndërsa gazetarët kinezë kanë viza me vetëm një hyrje në ShBA. Qysh nga viti i kaluar, 21 gazetarëve kinezë iu refuzua viza amerikane. Ku gjendet "reciprociteti"?

Masa e palës amerikane ndaj pesë mediave kineze është shtypje e gjithanshme politike dhe "dëbim" i gazetarëve kinezë. Ndonjë zyrtar amerikan pretendon se këto pesë media kineze kanë sfond qeveritar, gjë që demaskon hipokrizinë e palës amerikane për të ashtuquajturën "liri të shtypit" dhe përbën në fakt sulm ndaj sistemit politik të Kinës.

Kina dhe ShBA-ja kanë sisteme të ndryshme dhe mediat e tyre luajnë role të ndryshme. Prej kohësh, mediat kryesore kineze kanë luajtur rol të rëndësishëm në nxitjen e njohjes së botës nga Kina dhe të njohjes së Kinës nga bota. Të marrim për shembull kontrollin e epidemisë së tanishme. Mediat kryesore kineze i bëjnë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të solidarizohet e të bashkëpunojë dhe kanë shprehur falënderime për ndihmën e palëve të ndryshme, përfshirë ShBA-në. Ndërkohë, një pjesë mediash amerikane e fokusojnë vëmendjen në përbaltjen e Kinës, madje sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo mbështeti haptazi reportazhin e gazetës "Wall Street Journal" që fyente Kinën. Mos vallë kjo është "liria e shtypit" e trumbetuar nga pala amerikane?

 

Mediat kineze kanë krijuar zyra në ShBA për shumë vjet me radhë. Ato kanë respektuar me rigorozitet ligjet dhe rregulloret e këtij vendi dhe kanë ndjekur moralin profesional të gazetarisë, duke nxitur njohjen dhe shkëmbimet e ndërsjella midis dy popujve. Profesionalizmi i tyre është pranuar gjerësisht nga shoqëria amerikane. Por tani, pala amerikane, nën pretekstin e sfondit të mediave kineze, pengon funksionimin normal të tyre në mënyrë të pabazë e diskriminuese. Ky është një tjetër pasqyrim i mendësisë ekzistuese të Luftës së Ftohtë dhe i paragjykimit ideologjik të palës amerikane.

Bota jonë është shumëpolare dhe zhvillimi i Kinës është i papengueshëm. Mendësia e Luftës së Ftohtë bie në kundërshtim me prirjen e zhvillimit historik dhe do të dëmtojë shkëmbimet njerëzore normale midis dy vendeve, do të ndikojë në marrëdhëniet kino-amerikane dhe do të cenojë interesat e vetë palës amerikane. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore