Rinisja e punës në fabrikat kineze stabilizon zinxhirin global të prodhimit

2020-02-19 17:59:11 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe:复工---[fù gōng]---Rifillim i punës

Në fillim të shkurtit, si pasojë e epidemisë së pneumonisë së koronavirusit të ri, u ndërpre përkohësisht furnizimi me pjesë këmbimi nga Kina dhe kompania koreanojugore e automjeteve "Hyundai" u detyrua të ndërpriste punën e linjave të montimit në vend. Më 17 shkurt, me rifillimin e punës në një pjesë të ndërmarrjeve kineze të prodhimit të pjesëve të këmbimit dhe me përkrahjen e qeverisë kineze e asaj koreanojugore, "Hyundai" vendosi të riniste pjesën dërrmuese të linjave të montimit.Këto dy lajme, që u publikuan me radhë gjatë mbi dhjetë ditëve, pasqyrojnë pozicionin e rëndësishëm të Kinës në zinxhirin global të prodhimit.

Qysh nga 10 shkurti, përveç provincës Hubei, ndërmarrjet në krahinat e tjera kineze rifilluan gradualisht punën me parakushtin e kontrollit të epidemisë. Qeveria kineze shprehu qëndrimin e vet të qartë se do të forcojë më tej parandalimin e kontrollin e epidemisë në zonat me gjendje më të rëndë ose me rreziqe të mëdha, ndërsa zonat e tjera duhet të marrin parasysh ndërthurjen në mënyrë përpjestimore të kontrollit të epidemisë me rivendosjen e rendit ekonomik e shoqëror.

Në raportin e Institutit Global "McKinsy" për vitin 2019 u dha një konkluzion i rëndësishëm: varësia e Kinës nga ekonomia botërore është ulur, ndërsa varësia e botës nga ekonomia kineze është rritur. Edhe faktet e të dhënat vërtetojnë se, si i vetmi vend në botë që ka të gjitha kategoritë industrale, Kina ka epërsi të dukshme në zinxhirimin e furnizimit. Veçanërisht sektorët si artikujt shtëpiakë, pjesët e këmbimit me teknologji të larta, tekstilet etj., kanë varësi të madhe prej Kinës.Njëkohësisht, si pasojë e zgjatjes së pushimeve të Vitit të Ri Kinez dhe e shtyrjes së rifillimit të punës në ndërmarrjet kineze, u pakësuan kërkesat për naftën bruto, minerale dhe burime të tjera natyrore, gjë që ka ushtruar ndikim në vendet përkatëse, si Arabia Saudite, Rusia dhe Irani për naftën bruto dhe Australia, Brazili e India për xeherorët e hekurit.Sipas raportit të "McKinsy"-t, Kina është destinacioni nr. 1 i eksportit për 33 vende, si edhe burimi nr. 1 i importit për 65 vende.Prandaj, parandalimi e kontrolli i epidemisë në Kinë dhe rifillimi i punës dhe rimëkëmbja e ekonomisë janë gjithashtu përgjegjësi ndaj botës.

Të marrim për shembull kompaninë "Apple". Ndër 800 furnizuesit e saj në mbarë botën, afro gjysma janë në Kinë dhe pjesa më e madhe e produkteve "Apple", përfshirë "iPhone"-at, prodhohen në Kinë. Në një deklaratë të bërë më 17 shkurt për investitorët, "Apple" tha se të gjithë partnerët kinezë të prodhimit të "iPhone"-ave kanë rifilluar punën. Si pasojë e epidemisë, kompania "Apple" parashikon mungesa në furnizimin me "iPhone"-a në mbarë botën, por ajo shprehu besimin se "ndikimet janë të përkohshme".

Ashtu siç tha ditët e fundit Robert Merton, fituesi amerikan i Çmimit "Nobel" në Ekonomi, në një letër të hapur për popullin kinez: "Jemi optimistë mbi perspektivën e zhvillimit ekonomik të Kinës dhe besojmë se ky vend do të bëhet më i fuqishëm pas fitores mbi epideminë". (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore